Telegrafi

Avancon sistemi financiar, tani pengu regjistrohet zyrtarisht në ministri

“Zyra e pengut, edhe pse e themeluar në vitin 2001 me Rregulloren 2001/32 që nga dita e sotme po institucionalizohet dhe është një tregues për angazhimin e ministrisë në implementimin e ligjit dhe krijimin e fushave për biznes sa më të qëndrueshëm në Kosovë”, tha këshilltari i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Daut Rudi.

Sipas tij, Pengu luan një rol të rëndësishëm në transaksionin e kredi-dhënies dhe kredi-marrjes”, tha ai.

Për peng në vlerë deri në 10 mijë euro pagesa që duhet bërë për ta regjistruar është 5 euro ndërsa mbi 10 mijë euro pagesa është 10 euro. Për çfarëdo ndryshimi apo plotësimi të shënimeve në regjistrin e pengut caktohet edhe pagesa prej 5 euro, ndërsa për shlyerjen e pengut nga regjistri i pengut ,caktohet pagesa prej 2 euro.

Kurse për lëshimin e certifikatës, vërtetimit apo kopjes së dokumentit të vërtetuar nga Zyra e pengut, çmimi për certifikatë të regjistrimit është 2 euro, për kopje të vërtetimeve ose dokumenteve 0.50 euro për faqe ndërsa për lëshim të shënimeve nga zyra në mënyrë elektronike pagesa është 0.10 euro për një kilobajt. /Telegrafi/