Telegrafi

Avancohet kundërligjshëm balldyska e Çekut!

Ministria e Punëve të Jashtme, pos që ka marrë vendim që ta avancojë Harxhin pa ndonjë shkollim të lartë, me këtë vendim ka shkelur edhe ligjet e shtetit të Belgjikës, gjegjësisht ka shkelur praktikat e pranuara përgjithësisht të shtetit belg për mosdhënie të statusit të diplomatit, personave me shtetësi belge, shkruan “Zëri”.

Harxhi si rezultat i martesës së para disa viteve me një shtetas belg mban shtetësinë e këtij vendi, ndërsa rregullat e Belgjikës, sipas burimeve të gazetës, bëjnë me dije qartë se shtetasit belg nuk mund të ketë statusin e diplomatit e as të gëzoj imunitete e privilegje diplomatike, të cilat u akordohen vetëm diplomatëve.

Sipas burimeve të gazetës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, ka marrë vërejtje nga autoritetet belge për këtë shkelje. Kjo letër ia kujton Kosovës përmes ambasadës së atjeshme se asnjë shtetas belg nuk mund të jetë staf diplomatik në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.

Të gjithë e dinë këtë rast, por asnjëri nuk flet. Zyrtarisht nuk flasin as zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët e kanë shkruar vendimin me të cilin Harxhi javë më parë është avancuar në pozitë diplomatike.

Për më shumë se dy javë, gazeta ka pritur përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkatësisht nga këshilltari Artan Behrami, por i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës përmes së cilave është kërkuar baza ligjore e emërimit të Harxhit në pozitën e zëvendëskonsull në Bruksel. /Telegrafi/