Telegrafi

Ava Max do të interpretojë kolonën zanore të filmit më të ri të “Scooby Doo”

Foto: Ava Max/Instagram

Ndonëse po qëndron në vetë-izolim, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ava Max, nuk po rrin duarkryq.

Ajo është duke punuar në këngën e saj të re, e cila do të jetë kolonë zanore për një film të animuar, mjaft të njohur.

Bëhet fjalë për filmin e ri “Scoob”, i cili vjen si një ripërpunim i veçantë i personazhit të famshëm “Scooby Doo”.

Ava Max (Foto: Alberto E. Rodriguez/Getty Images/Guliver)

Për kolonat zanore të këtij albumi janë përgatitur rreth 12 këngë, të cilat janë përfshirë në një album, njërën prej të cilave e interpreton artistja shqiptare.

“On Me” titullohet kolona zanore të cilën do ta këndojë Ava Max, në bashkëpunim me Thomas Rhett dhe Kane Brown dhe do të publikohet më 15 maj.

E lumtur për këtë projekt, këngëtarja emri i vërtetë i së cilës është Amanda Ava Koci, ndau me ndjekësit në Instagram një pjesë të vogël të këngës, shoqëruar me animacionet e filmit.

“E entuziazmuar ta ndajë “On Me” së shpejti! Faleminderit Thomas Rhett dhe Kane Brown që më ftuar në këngë”, shkroi ajo në mbishkrimin e videos.

Filmi i ri “Scoob!” sjell historinë e qenushit të famshëm Scooby Doo me mënyrën se si ai u njoh me shokun e jetës, Shaggy, dhe se si më pas ata u takuan për herë të parë me detektivët tjerë: Fred, Velma dhe Daphne për të formuar grupin “Mystery Inc”. Më vonë, Scooby Doo dhe banda mësojnë se Scooby ka një sekret në trashëgimi dhe një fat epik.

Filmi do të jetë i disponueshëm nga data 15 maj. /Telegrafi/

Ava Max (Foto: Jeff Spicer/Getty Images/Guliver)