Site icon Telegrafi

Ava Max flet për mentalitetin e vështirë në Shqipëri: Mamaja ime shkonte fshehurazi në shkollën e muzikës, nuk guxonte t’i tregonte babait

Foto: Ava Max/Instagram

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Ava Max, vazhdon të jetë një nga artistet më të dëgjuara të zhanrit pop në arenën ndërkombëtare.

Familja e saj i ka rrënjët në Shqipëri, por Ava fatkeqësisht nuk ka qenë kurrë në vendin e saj amtar.

Ajo në një rrëfim të fundit ekskluziv për Uproxx, ka treguar në rubrikën e quajtur “How I Blew Up” se si u rrit artistikisht por edhe në aspektin individual si person.

Foto: Ava Max/Instagram

Mes të tjerash, 27-vjeçarja ka treguar se talentin për muzikë e ka të trashëguar nga nëna e saj, e cila është rritur në Shqipëri, dhe siç tregon këngëtarja, ajo ka shkuar fshehurazi familjes në shkollën e muzikës kur ishte fëmijë.

“Mamaja ime është një zë i operave, por jo profesioniste, ajo këndon për qef. Kthehemi te Shqipëria kur në një kohë ishte jo në rregull që dikush të ndiqte ëndrrën e tij. Kështu ajo anashkaloi shkollën e saj të mesme të rregullt, për të shkuar fshehurazi rreth pesë kilometra larg te shkolla e saj e muzikës dhe nuk mund t’i tregonte babait të saj, sepse ai do të ishte si, e dini shumë keq. Nuk ishte shumë e pranueshme për rrethin. Krejt çfarë duhej të bëje është të martoheshe, të kishe fëmijë dhe kaq – nëse do të ishe femër”, tregoi Ava Max.

Ava Max dhe nëna e saj (Foto: Ava Max/Instagram)

Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi, vazhdoi të tregonte se si nëna e saj, Andrea Koçi, ishte rritur në një ambient ku mentaliteti nuk i lejonte gratë që të ecnin përpara, aq më tepër në një fushë inovative në atë kohë, siç ishte muzika.

“Kështu mamaja ime shkoi fshehurazi në shkollën e muzikës për tri vite, sepse ajo donte shumë të këndonte dhe më në fund i tregoi babait të saj, dhe ishte një dramë e madhe. Por në fund të ditës ajo nuk ndjeu keqardhje, ajo e donte atë. Ajo ka një zë më të mirë se unë, ajo këndon këngë të vështira operistike dhe unë jam si: ‘Vajzë, si mund ta bësh këtë’, por unë mendoj se kam marrë talent nga mami im”, ka thënë shqiptarja e hitit “Sweet but Psycho”.

Përndryshe, Ava Max në një intervistë ekskluzive për Telegrafin në fillim të këtij viti, kishte folur mbi dëshirën e saj të madhe për të vizituar trevat shqiptare për herë të parë në jetën e saj – ngase familja e saj (babai, nëna dhe vëllai), ishin larguar nga Shqipëria para se ajo të vinte në jetë.

Lexo po ashtu Intervista e Ava Max për Telegrafin

“Ndjehem sikur e kam thënë tani për vite me radhë dhe i kam thënë vetës hajde pra, është koha të shkoj atje! Kështu që po – premtoj se do të vij në Shqipëri. Prejardhja ime është shumë e rëndësishme për mua dhe atë se kush jam tani. Prindërit e mi u zhvendosën këtu nga Shqipëria dhe ma kanë ngulitur këtë krenari të pabesueshme për vendin tonë. Mezi pres të vij”, ka thënë artistja ndërkombëtare për Telegrafin.

Ava Max përndryshe vijon të shijojë suksesin e albumit të saj debutues “Heaven and Hell”, i cili vitin e kaluar u rendit si albumi i tretë më i dëgjuar i një artisteje femër në Spotify. /Telegrafi/

Foto: Ava Max/Instagram
Exit mobile version