Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ava Max, vazhdon të jetë ndër artistet e reja më të pëlqyera në tregun e huaj.
Teksa po shijon suksesin e projektit të saj muzikor më të fundit “Alone Pt.II” në bashkëpunim me DJ e njohur, Alan Walker, 25-vjeçarja po përgatitet që shumë shpejt të sjell në treg këngën e saj të re.
Këtë gjë ajo e bëri të ditur përmes një pyetësori të hapur që ua mundësoi ndjekësve të saj në rrjetin social Instagram.
E pyetur se kur do të vijë për fansat kënga e saj e re, Ava Max tha se data e publikimit është vendosur të jetë 12 mars dhe ajo është shumë entuziaste për këtë.
Ndërkohë, një pyetje shumë interesante që iu drejtua artistes nga një tjetër fans, ishte ajo se çfarë do të ishte Ava me profesion nëse nuk do të ishte këngëtare.
“Unë do të isha bërë një dizajnere e interierit. Haha jo por…me të vërtetë. Në një jetë tjetër”, u përgjigj Ava Max, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koci.
Ndërkohë, një tjetër fans pyeti se cila ishte prejardhja e saj dhe ky ishte momenti kur këngëtarja me krenari u përgjigj para 1.1 milion ndjekësve të saj në rrjetin social Instagram, për rrënjët e saj shqiptare.
“Me origjinë prindërit e mi dhe vëllai im janë nga Shqipëria. Unë jam lindur në Wisconsin (ShBA)”, ishte përgjigja e artistes shqiptare.
Ava Max depërtoi në tregun ndërkombëtar të muzikës vitin e kaluar me hitin “Sweet but Psycho”, i cili ka kaluar shifrën e mbi një miliardë dëgjimeve në mbarë botën, në mbarë platformat muzikore si: YouTube, Spotify, Apple Music etj. /Telegrafi/