Artistja me prejardhje shqiptare, Ava Max, çdo ditë e më shumë po ngjitet drejt majave të suksesit në tregun ndërkombëtar të muzikës.
Këngët e saj janë pëlqyer shumë këtë vit dhe kanë shënuar shifra të larta klikimesh në Spotify dhe YouTube.
Ajo po ashtu është fituese e dy çmimeve shumë të rëndësishme sivjet: “Artistja e re më e mirë” në MTV Europe Music Awards dhe “Këngëtarja më e mirë ndërkombëtare” në Los40 Music Awards.
Ava Max, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Ava Koci, ka krijuar tashmë një numër të madh ndjekësish edhe në rrjetet sociale.
Të enjten e datës 28 nëntor, pikërisht në ditën kur shteti i saj amë feston shpalljen e pavarësisë, këngëtarja arriti shifrën e një milion ndjekësve.
Këtë gjë ajo e bëri të ditur përmes një imazhi të publikuar në InstaStory, ku shfaqte shifrat e llogarisë së saj në Instagram.
“Faleminderit që jeni me mua në këtë udhëtim”, ka shkruar Ava Max në mbishkrimin e fotografisë.
Ajo këtë vit ka arritur që të jetë në qendër të vëmendjes së mediave botërore, duke hyrë në rangun e artisteve tjera të famshme me prejardhje shqiptare si: Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha. /Telegrafi/