Në bazë të gati 50.000 kontrolleve inspektuese të zbatuara në vitin e kaluar, janë konstatuar vetëm 69 parregullsi sa i përket deklarimit joadekuat dhe jo të plotë të produkteve dhe mashtrimit të konsumatorëve. Gjatë kësaj janë shqiptuar tetë ndalesa për lëshim në qarkullim të ushqimit, 35 urdhra për mënjanimin e parregullsive të përcaktuara me kontrollet, janë dhënë tetë urdhra për tërheqje të produkteve, 12 nga urdhrat kishin të bënin për shkatërrimin e ushqimit, ndërsa janë shqiptuar edhe katër vërejtje. Në kuadër të kontrolleve të zbatuara dhe parregullsive të përcaktuara sa i përket etiketimit të ushqimit, janë dhënë edhe 11 urdhërpagesa për kundërvajtje dhe dy masa për edukim, njoftoi sot drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Nikollçe Babovski.
Në konferencën “Etiketimi nutriform: Formula për informim të përgjegjshëm të konsumatorëve”, Babovski theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut etiketimi është i detyrueshëm për çdo produkt. Në të kundërtën, produkti konsiderohet si jo i sigurt, sepse nuk i përmban të dhënat themelore të cilat i nevojiten konsumatorit.
“Detyrim i operatorëve me ushqim është që të garantojnë para shërbimeve inspektuese dhe konsumatorëve se po lëshojnë në treg produkte të sigurta, duke përfshirë edhe produkte të cilat janë etiketuar në mënyrë adekuate. Etiketimi duhet të të jetë i qartë, në mënyrë precize dhe të mos e hutojë konsumatorin, ndërsa e bëjnë operatorët me ushqim, gjegjësisht prodhuesi. Për të dhënat e deklarimit për produktet importuese, përgjegjës është operatori me ushqim”, theksoi Babovski.
Sipas tij, AUV bën mbikëqyrje ndaj operatorëve me ushqim sa i përket përmbushjes së kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për siguri të ushqimit dhe për mbrojtje të konsumatorëve. Kryhen kontrolle të vazhdueshme në treg dhe nëse konstatohen parregullsi edhe në pjesën e etiketimit, operatorëve u kërkohet që në afat të përcaktuar t’i mënjanojnë. Nëse nuk veprohet sipas kërkesës, produktet tërhiqen nga qarkullimi.
“Nutriform”, siç ishte thënë në prezantim, jep informacione për vlerat ushqyese të produktit. Modeli është model italian, i propozuar dhe elaboruar si alternativë për etiketimin francez “Nutriskor”.