Rezultatet nga analizat e kampioneve të marra në delet në bulmetoren e fshatit Simnicë të Gostivarit, të kryera nga ana e Fakultetit për mjekësi veterinere, është konfirmuar prania e Etheve hemorragjike të Krimesë-Kongos dhe etheve Kju, kumtoi Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Siç theksohet në kumtesën e AUV, bëhet fjalë për sëmundje që i bartin vektorët (insektet, parazitet, mushkonjat dhe brejtësit) dhe nga të cilat mund të sëmuren edhe kafshët edhe njerëzit, njofton AIM.
Njëherit, theksohet se akoma nuk janë marrë rezultatet nga ekzaminimet laboratorike të mostrave të marra nga qumështi, djathi dhe uji në bulmetore dhe thekson se mbeten në fuqi masat e shqiptuara.
Para një jave, në Simnicë të Gostivarit, vdiqën dy persona nga virusi Hanta, kurse 8 u spitalizuan dhe sipas ministrit Arben Taravari, të infektuarit e mbijetuar, janë tashmë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme. /Telegrafi/