Telegrafi

Autostrada Prizren-Prishtinë e pa pastruar – bora krijon probleme edhe në rrugë tjera

Ministria e Infrastrukturës para më shumë se dy ore përmes një njoftimi tha se të gjitha rrugët në menaxhim të tyre janë të hapura për qarkullim, përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës.

Ndërsa bora po bie pa ndalë rrugët janë mbushur dhe në këtë ditë pranvere, si edhe gjatë ditëve të dimrit përgjegjësit e rrugëve janë zë në befasi.

Autostrada Prizren-Prishtinë është plotësisht e mbuluar me borë.

Një lexues i Telegrafit ka dërguar video në të cilën shihen automjete të ndaluara në rrugë edhe në Landovicë të Prizrenit.

Ai ka kërkuar nga komuna e Prizrenit që të ndermarrin masa për t’i pastruar rrugët.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë për shkak të reshjeve të mëdha të borës.

Përmes një njoftimi, Policia ka apeluar për mbajtje të distancës mes mjeteve, përshtatje të shpejtësisë dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë.