Telegrafi

Autostrada Prishtinë-Shkup këtë javë detajet

Sipas tij, ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup do të hapë korridore të reja nga Kosova për në rajon dhe vende të tjera. “Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar të punojë dhe të investojë në ndërtimin e rrugëve. Prezantimi i këtij projekti madhor për Kosovën tregon qartë vendosmërinë e institucioneve të vendit për të punuar në këtë drejtim”, ka theksuar Pozhari.

Sipas tij, koncesionuesi, i cili do ta ndërtojë këtë autostradë, do ta mbajë një kohë në shfrytëzim. Ndërkaq nëpërmjet këtij varianti do ta mbrojmë paranë publike dhe do ta fitojmë një korridor të ri, i cili do të sjellë zhvillim të ardhshëm ekonomik për vendin.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ndërtimin e rrugëve dhe të autostradave e ka vlerësuar si një nga parakushtet për zhvillim ekonomik të Kosovës. “Ky është një projekt me fizibilitet të lartë dhe me impakt pozitiv për zhvillim ekonomik, i cili duhet të përfundojë sa më shpejt”, tha ai.

Edhe eksperti, Ibrahim Hoxha, këtë projekt e sheh si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Prishtinën dhe Shkupin, por për të gjithë rajonin, sepse, sipas tij, do të bëhet një lidhje shumë e rëndësishme me Maqedoninë, por edhe me Greqinë.

Autostrada nga Prishtina deri në Shkup do të jetë e gjatë rreth 86 km. Ajo do të kalojë në drejtim të Ferizajt e Kaçanikut dhe do të lidhet me pjesën tjetër të Maqedonisë. Qeveria e Maqedonisë ka paraparë ta ndërtojë autostradën nga Shkupi deri në kufi me Kosovën. /Epoka e Re/Telegrafi/