Site icon Telegrafi

Autostrada për në Shkup cenon Planin Zhvillimor Urban të Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka shfaqur pakënaqësi ndaj organeve qendrore, por edhe ndaj kompanisë punëkryerëse “Bechtel Enka” rreth punimeve të një pjese rrugore që lidh autostradat për Maqedoni e Shqipëri, nga Veterniku në dalje të Bresjes së Fushë-Kosovës, e cila është cilësuar edhe si unazë e kryeqytetit.

Kjo për shkak se sipas autoriteteve komunale, ndërtimi i asaj rruge është në kundërshtim të Planit Zhvillimor Komunal të Komunës së Prishtinës, i miratuar nga Kuvendi Komunal në vitin 2013.

“Shtrirja e kësaj rruge ka dëmtuar dy unazat me rëndësi për kryeqytetin, të cilat tashmë janë të kontestueshme, ndërkohë që nga kjo janë dëmtuar zona Perëndim, gjegjësisht lagja ‘Kalabria’”, ka thënë për gazetën shefja e Zyrës për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta, shkruan Koha Ditore.

Madje, Mullafazliu-Bejta ka shfaqur edhe dyshimin se rruga që është duke u ndërtuar nuk ka marrë leje fare nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor.
Kjo pjesë e autostradës lidh dy të tilla, teksa ajo e Gjilanit pritet të integrohet më pas. Por, zyrtarët komunalë të Prishtinës theksojnë se nuk janë konsultuar fare.

Që rruga të shkojë sipas planifikimit të Ministrisë së Transportit, në Veternik nevojitet edhe ndërtimi i një rrethrrotullimi. Për ndërtimin e tij është planifikuar zhvendosja dhe rrënimi i dy shtëpive, afër urës, udhëkryqit aktual, që ndan rrugët në drejtim të Gjilanit dhe të Ferizajt.

Ndërkaq, autoritetet komunale kompensimin e shtëpive e shohin si problem goxha të vogël, ngase sipas zëdhënëses Mullafazliu-Bejta, kompensimi i shtëpive është problem më i vogël në krahasim me shpërfilljen e komunës. /Telegrafi/

Exit mobile version