Telegrafi

Autostrada, një front i rëndësishëm i punësimit

Me këtë rast, ministri Limaj, tha se, “prezenca e këtyre të rinjve sot, në një masë kaq të madhe shpreh qartë forcën vitale që ka populli ynë dhe energjinë për të punuar dhe për të qenë pjesë e zhvillimit të vendit. Kemi të rinj dhe të reja të kualifikuara në degë të ndryshme të gatshëm për të përballuar sfidat që ofron puna në sektorë edhe të vështirë siç është ndërtimi, por dhe në institucione bankare apo biznese vendase dhe të huaja”.

Sipas ministrit Limaj, papunësia është një shqetësim i vazhdueshëm për të gjithë, por është njëkohësisht edhe një angazhim permanent i Qeverisë për të përmirësuar këtë situatë, për të ulur nivelin e papunësisë, duke hapur fronte të reja pune.

“Qeveria po punon intensivisht për të rritur hapësirat për investime të huaja dhe lehtësuar procedurat për nisjen e bizneseve vendase çka do ti jepte një shtysë të madhe ekonomisë në vend dhe sektorit të punësimit në veçanti”, theksoi Limaj.

Investimi më i madh i Qeverisë së Kosovës, projekti me i madh në infrastrukturën e vendit, autostrada Morinë-Merdar, sipas ministrit Limaj, do të jetë një front i rëndësishëm i punësimit në vend.

“Bechtel dhe Enka po përmbush sot një angazhim të marrë publikisht dhe përmes kontratës me Qeverinë e Kosovës për të rekrutuar dhe punësuar staf lokal dhe jam i bindur që ky proces do të jetë zinxhir nga puna në terren deri tek shërbimet mbështetëse në të gjithë vendin”, theksoi ai.

Limaj falënderoi, kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair, kompani të cilat kanë bërë investime serioze në vend dhe tashmë kanë krijuar stafet e tyre me profesionistët e rinj të Kosovës. /Telegrafi/