Autoritetet heshtin nëse dhe sa do të kushtonte prishja eventuale e kontratës me kompaninë kineze Sinohydro, e cila ndërton autostradën Kërçovë-Ohër, siç njoftuan një ditë më parë kryeministri Kovaçevski dhe zëvendësi i tij, Artan Grubi.
Pyetëm Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore”, nëse shteti do të paguante gjobë apo kompensim për kinezët, por nuk morëm përgjigje.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, nuk deshi të komentojë, por vetëm shkurtimisht deklaroi se vendimi duhet të merret nga Qeveria dhe Kuvendi. Në pikën 20 të marrëveshjes së lidhur midis Qeverisë së Gruevskit dhe kompanisë kineze Sinohydro të datës 29 tetor 2013, shkruhet se Gjykata e Arbitrazhit në Paris është kompetente për arbitrazh të mundshëm.
“Për të dhjetin vit, ne kemi kontraktorë nga Kina që ende nuk po përfundojnë autostradën, dhe për këtë arsye duhet të bëhet një kontroll bazuar në një vendim se si të vazhdohet, dhe një nga opsionet është natyrisht përfundimi i asaj kontrate. Kjo do të tregojë saktësisht se cilat janë elementet që shkaktuan një vonesë të tillë në rrugë. Vetë marrëveshja është ligj dhe çdo ndryshim në të, çdo aneks i saj, miratohet nga deputetët”, tha Dimitar Kovaçevski- kryeministër.
“Qëndrimi ynë është se është ndërtuar për një kohë të gjatë, se ka shumë probleme, se pengesat administrative ligjore me të cilat u përballëm atje në ndërtimin e autostradës ishin të mëdha, se kemi pasur probleme të mëdha edhe me dokumentacionin e projektit”, u shpreh Andreja Serafimovski – Shoqata e Ndërtimtarisë.
Instituti për Demokraci, në një hulumtim arriti në përfundimin se marrëveshja u lidh pavarësisht shqetësimeve të ekspertëve për fizibilitetin dhe përfitueshmërinë.
“Qeveria vendosi për lidhjen e drejtpërdrejtë të një kontrate në vend të një procedure të prokurimit publik, pavarësisht nga dispozitat pozitive ligjore, kështu që nuk ishin vetëm zyrtarët kinezë, por edhe veprimet e zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut, që lejuan që kapitali kinez në këtë rast të bëhej gërryes”, thuhet në hulumtimin e Institutit për Demokraci.
Autostrada Kërçovë-Ohër filloi të ndërtohet në vitin 2014. Afati fillestar ishte viti 2018, por u shty fillimisht për në vitin 2021 dhe më pas deri në fund të vitit 2023./Alsat/