Telegrafi

Autostrada gëlltit shumicën e buxhetit

Pjesën më të madhe të buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës sivjet e gëlltit autostrada. Rreth 276 milionë euro sa janë ndarë nga buxheti i vitit 2011 për këtë ministri, 225 milionë do të shkojnë për realizimin e punimeve për autostradën Vërmicë – Merdar.

Projektet tjera për ndërtimin e rrugëve nëpër komuna mund të anashkalohen, krejt kjo për shkak të investimit të madh në përfundimin e këtij projekti. Nga gjithsej 60 projekte të kësaj ministrie, më së shumti kanë përfituar rruga Prishtinë – Pejë, të cilës për këtë vit i kanë ndarë rreth 9 milionë euro dhe ajo Prishtinë – Mitrovicë prej 3.6 milionë eurosh. Totali prej 572 milionë eurosh që e ka ndarë Qeveria e Kosovës për investime kapitale, paraqet një ngritje gati 25.6 për qind krahasuar me realizimin e shpenzimeve të vitit 2010. Por, rrugët dytësore të vendit duket se janë harruar krejt nga Ministria e Infrastrukturës.

Drejtori i Financave në Ministrinë e Infrastrukturës, Besnik Hajdari, deklaroi për Express se nga 276 milionë euro, të cilat janë ndarë për këtë ministri, 225 milionë do të shkojnë për ndërtimin e autostradës. “Pjesa tjetër e mbetur e buxhetit prej rreth 51 milionë euro do të shkojë për 60 projekte tjera, për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve, shërbimet operative dhe shërbimet komunale”, tha Hajdari.

Nga gjithsej 60 projektet, ai tregon se më së shumti kanë përfituar 3 projektet më të mëdha të kësaj ministrie; ajo për vazhdimin e punimeve të nisura në rrugën Prishtinë – Pejë, ajo në drejtim të Mitrovicës si dhe rrethrrotullimi te Stacioni i Autobusëve.
“Vetëm për rrugën Prishtinë – Pejë për këtë vit janë ndarë 9 milionë e 106 mijë e 782 euro, për atë Prishtinë – Mitrovicë do të shkojnë 3 milionë e 649 mijë e 816 euro dhe për rrethrrotullimin të Stacioni i Autobusëve janë ndarë 2 milionë e 980 mijë e 373 euro”, tha drejtori Hajdari.

Hapja e seksionit të parë, të dytë dhe të tretë të projektit të autostradës, që e lidh Kosovën me Shqipërinë, pritet të bëhet gjatë këtij viti, e që kjo është para afatit të parashikuar në kontratë, e cila parashihte që këto seksione të hapen më 2012.
Punimet në këtë autostradë kanë filluar në prill të vitit të kaluar, ndërsa afati i paraparë për përfundimin e saj është brenda 36 muajve që nga dita e fillimit të punimeve.

Mjetet për realizimin e këtij projekti, që llogariten të jenë rreth 800 milionë euro, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët dhe në rast nevoje edhe nga marrja e kredive me kushte të volitshme, por jo sikur kreditë, të cilat ofrojnë bankat që operojnë në Kosovë. /Telegrafi/