Telegrafi

Autostrada do ta zhvillojë ekonominë e Kosovës

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, profesori në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, ka deklaruar se projektet e Qeverisë së vendit për: “Kosovën e Re”, koncensionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe privatizimin e PTK-së, duke i pasur për bazë shtetet kapitaliste, do të hapin epokë të re të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës.

Autostrada për Kosovën do të jetë me një leverdi shumë të lartë ekonomike, duke filluar nga hapja e vendeve të reja të punës, nxitjen e investimeve të drejtpërdrejta të huaja, shkëmbimeve tregtare, qarkullimin e lirë të njerëzve, zhvillimin e turizmit detar e malor si dhe forcimin e lidhjeve me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Një përfitim për vendin është edhe ulja e kostos së transportit të njerëzve dhe mallrave nga Shqipëria për në Kosovë si dhe mundësia më favorizuese për eksportuesit kosovarë. Me rëndësi për Kosovën është që punët të kryhen sipas standardëve të larta të komunikacionit ndërkombëtar.

Mjetet financiare Qeveria e Kosovës mund t’i grumbullojë nga koncesioni, nga mjetet vetjake financiare, fondi i privatizimit i cili kalon mbi 450 milionë, nga Trusti Pensional, nga 200 milionat e PTK-së, nga koncensionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Por, një mundësi tjetër është edhe mbështetja nga ndonjë donator, si dhe marrja e kredisë nga Banka Botërore, FMN dhe Banka Evropiane.