Telegrafi

Autostrada devijohet nga Korridori 7

Nga Arllati, vendi ku autostrada parashihet të dalë në rrugë magjistrale, traseja e autostradës do të ndërpritet, ndërsa do të vazhdojë sërish në afërsi të aeroportit “Adem Jashari”, më saktësisht në fshatin Sllatinë. Sipas Qeverisë, vendimi që autostrada të shfrytëzojë mbi 20 kilometra trase të rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë e kursen arkën e shtetit për rreth 350 milionë euro, pasi që në të kundërtën është vlerësuar si opsion i shfrytëzimit të plotë i “Korridorit 7”, nga Suhareka në drejtim të Qafës së Duhlës e deri në Shtime.

Me anë të vendimit, Qeveria ka devijuar “Korridorin 7”, i cili është ndërkombëtarisht i njohur. Vendimi i Qeverisë, përpos ndërrimit të trasesë së autostradës, ndryshon edhe hartat rrugore evropiane e ndërkombëtare. I njëjti vendim ka bërë që “Korridori 7” do të mbetet në shfrytëzim vetëm si rrugë që lidh Shtimen me Suharekën.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë rekomanduar që për konsultime të shfrytëzohet vendimi i Qeverisë i nxjerrë javën e kaluar. Ndërkohë, nga ndërtuesi i autostradës, konsorciumi “Bechtel-Enka”, është thënë se integrimi i autostradës në rrugën ekzistuese M9, apo seksioni i 6-të i autostradës, bëhet duke pasur parasysh se aktualisht është duke u punuar për zgjerimin e kësaj rruge në dy drejtime me nga dy korsi, shkruan Koha Ditore.

Sipas zëdhënëses së konzorciumit “Bechtel-Enka”, Ela Ruçi, hyrja nga autostrada në rrugën M9 do të bëhet nëpërmjet nyjave lidhëse. Vendimi i Qeverisë për daljen e autostradës Morinë-Merdar në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, sipas njohësve të çështjeve të transportit rrugor, nuk konsiderohet veprim i mençur i Qeverisë. /Telegrafi/