Autostrada “Arbën Xhaferi” do të hapet më 29 maj në ora 11:00. Kështu e ka njoftuar kabinetin qeveritar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në mbledhjen e Qeverisë.
Për projektin e kësaj autostrade, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ishte mjaft i vështirë, por e konsideroi atë si veprën infrastrukturore prej më të mirave që ekzistojnë në Ballkan.
“E kemi caktuar edhe datën, janë të informuar institucionet e vendit, edhe presidenti edhe kryeparlamentari, Parlamenti. Kam informuar edhe kryeministrat fqinjë, kryeministrin Zaev, kryeministrin Rama, kryeministrin Markoviq, nëse eventualisht kanë kohë të na bashkohen. Urojmë Kosovës përmbylljen e këtij projekti me rëndësim, është një përmbyllje e një projekti boll të vështirë, por një vepër infrastrukturore ndër më të mirat që ekzistojnë në Ballkan”, tha ai.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tha se është një projekt gjigant dhe se është kryer një punë e shkëlqyer.
“Më 29 maj, në orën 11.00, bëhet përurimi i autostradës ‘Arbën Xhaferi’ që ka ndikim në zhvillimin ekonomik në sektorin privat dhe lidhjen e korridoreve. Atë ditë duhet të gëzohemi çdo qytetar, është bërë një punë e shkëlqyer, një projekt gjigant”, tha Lekaj. /Telegrafi/