Telegrafi

Autoriteti Palestinez mirëpret ambasadorin e parë saudit në Palestinë

Ambasadori i parë saudit në Palestinë, Nayef al-Sudairi, do t’i dorëzojë letrat kredenciale presidentit të Autoritetit Palestinez. Mahmud Abbas.

Al-Sudairi dhe delegacioni shoqërues arritën në Bregun Perëndimor të pushtuar të martën përmes kalimit Karama nga Jordania në një vizitë zyrtare dy-ditore që do të përfundojë të mërkurën.

Ai është planifikuar të takohet me ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki si dhe me Abbas dhe kryeministrin, Mohammad Shtayyeh.

Të hënën, Ministria e Punëve të Jashtme palestineze përshëndeti vizitën e ambasadorit saudit, duke e konsideruar atë “një moment historik për zhvillimin e marrëdhënieve vëllazërore midis dy vendeve simotra”.

“Ne mirëpresim Shkëlqesinë e tij Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shtetin e Palestinës, i cili do të paraqesë kredencialet zyrtare”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PLO-s, Husein al-Sheikh, sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA.

Al-Sudairi do të jetë ambasadori i parë i Arabisë Saudite në Palestinë, raporton aljazeera.

Emërimi i ambasadorit saudit vjen mes raportimeve se mbretëria e Gjirit po shqyrton marrëdhëniet zyrtare diplomatike me Izraelin në përgjigje të presionit të SHBA-së.

Megjithatë, sipas zyrtarëve amerikanë, izraelitë dhe sauditë, një marrëveshje e tillë është ende shumë larg për shkak të një sërë shqetësimesh komplekse, si zhvillimi i energjisë bërthamore saudite dhe operacionet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Riadi ka deklaruar vazhdimisht se do t’i përmbahet qëndrimit të Ligës Arabe për të mos pasur marrëdhënie me Izraelin derisa të zgjidhet kriza palestineze. /Telegrafi/