Telegrafi

Autoriteti i Aviacionit Civil thërret për dialog mes palëve në ANP ‘Adem Jashari’

Për të dytën ditë ka vazhduar greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, e cila është mbajtur nga ora 08:00 deri në orën 10:00, siç ishte paralajmëruar më herët nga kjo sindikatë.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, përmes një njoftimi për media iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e dialogut social për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për palët dhe ndërprerje të grevës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Ka vazhduar edhe sot greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, e cila është mbajtur nga ora 08:00 deri në orën 10:00, siç ishte paralajmëruar më herët nga kjo sindikatë. Inspektorët e AAC-së gjatë kohës së grevës kanë vëzhguar për së afërmi vijimin e operimeve në pajtim me rregullat dhe standardet e zbatueshme për siguri të operimeve dhe nuk kanë vërejtur parregullsi. Greva pritet të vazhdoj edhe nesër me dt. 21.08.2019 nga ora 08:00 deri në ora 14:00, luten udhëtarët që të monitorojnë komunikatat e ANP ‘Adem Jashari’ dhe të planifikojnë itinerarin e udhëtimeve në koordinim të ngushtë me kompanitë ajrore apo përfaqësuesit e tyre. Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës edhe njëherë ju bën thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e dialogut social për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për palët dhe ndërprerje të grevë”, thuhet në njoftimin e AAC-së.

Kujtojmë se Sindikata e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, kishte paralajmëruar se do të mbajnë grevë treditore, ku dy ditë greva do të jetë një përkatësisht dy orëshe, ndërsa një ditë do të jetë gjithëditore. /Telegrafi/