Kompania ajrore Germania ka paraqitur kërkesë për falimentim dhe ka njoftuar se ka anuluar të gjitha fluturimet.
Lajmin për falimentimin e kësaj kompanie e ka konfirmuar dhe Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovës, duke shtuar se do të ndërmarrin veprimet e nevojshme në mos dëmtimin e udhëtarëve.
“Njoftohen të gjithë udhëtarët dhe shfrytëzuesit e shërbimeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ANP Adem Jashari, se aviokompania Germania Gmbh ka shpallur falimentimin. Falimentimi i aviokompanisë Germania Gmbh nga Gjermania është një lajm i keq për industrinë e aviacionit. Kjo kompani ka operuar në shumë destinacione përfshirë këtu edhe ANP Adem Jashari, por që nga sot të gjitha operimet janë ndalur”, thuhet në njoftimin e Autoriteti i Aviacionit Civil, përcjell Telegrafi.
Ky autoritet njofton se do të ndërmarrin veprimet e nevojshme në mos dëmtimin e udhëtarëve.
“Autoriteti i Aviacionit Civil bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të mos dëmtimit të udhëtarëve të kësaj kompanie të cilët kanë planifikuar të fluturojnë për në dhe nga ANP Adem Jashari. Sipas informatave në dispozicionin tonë, janë siguruar kompani alternative të cilët do të bartin udhëtarët e mbetur të aviokompanisë në falimentim Germania”, vijon njoftimi.