Autoriteti i antikiteteve ka hedhur poshtë propozimin për restaurimin e jashtëm të piramidës Menkaure, pasi që ky propozim ka nxitur protesta ndërkombëtare.
Egjipti ka propozuar një plan të diskutueshëm për vendosjen e granitit në piramidën Menkaure, si më e vogla nga tre piramidat e Gizës, ka njoftuar ministri i turizmit të vendit.
Ky projekt u cilësua si “projekti i shekullit” nga sekretari i përgjithshëm i këshillit suprem të antikiteteve, Mostafa Waziri.
Por, lajmi se monumenti antik mund të ndryshohej, shpejt shkaktoi protesta ndërkombëtare, duke bërë që autoritetet egjiptiane të rishikonin vendimin e tyre dhe t’i pezullonin përkohësisht punët, shkruan the Guardian, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, piramidat janë e vetmja nga shtatë mrekullitë e botës antike që kanë mbetur ende. Gjatë shekujve, grabitja, gërryerja dhe shembja kanë shkaktuar zhdukjen e shumë shtresave të tyre.
Megjithatë, sipas Wazirit, projekti për zëvendësimin e granitit do të vazhdojë vetëm pas një viti skanimi dhe dokumentimi.
Ky vendim po kundërshtohet edhe nga ish-ministri i antikiteteve, Zahi Hawass, i cili tha se do të jetë e pamundur të përcaktohet se ku ka qenë secili bllok, andaj zëvendësimi i tyre do të prish piramidën.
“Ajo që dua të them është mos u shqetësoni, piramidat e Gizës janë të sigurta dhe asgjë nuk do t’u ndodhë atyre. Njerëzit kudo më telefonojnë, më shkruajnë letra, email. Ata janë të shqetësuar. Mos u shqetësoni fare, piramidat janë të sigurta dhe askush nuk mund ta prekë piramidën e Menkaure”, tha Hawass. /Telegrafi/