Telegrafi

Autoritetet turke kërkojnë nga ambasadori izraelit të heq këpucët gjatë kontrollit në aeroportin e Stambollit (Video)

E përditshmja izraelite Haaretz ka publikuar një video ku shihet ambasadori i Izraelit duke i hequr këpucët gjatë kontrollit në aeroportin e Turqisë.

Ankaraja zyrtare kishte kërkuar nga ambasadori i Izraelit ta lërë Turqinë, si shenjë proteste pas eskalimit të situatës gjatë protestave të dhunshme në Rripin e Gazës ku humbën jetën 60 palestinezë dhe u plagosën qindra tjerë, me rastin e hapjes së ambasadës së re amerikane në Jerusalem, transmeton Telegrafi.

Ambasadori Eitan Na’eh, është detyruar t’i nënshtrohet kontrollit të rreptë në aeroportin e Stambollit, ku policia kërkuan nga ai të heq këpucët.

Sipas kësaj të përditshme izraelite, heqja e këpucëve të diplomatit Na’eh në aeroportin e Stambollit është cilësuar si shkelje e kodit diplomatik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Emmanuel Nahson, ka deklaruar se është kërkuar sqarim nga përfaqësuesi i diplomacisë turke në Izrael lidhur me trajtimin që i është bërë ambasadorit Naeh.

“Izraeli e cilëson si shkelje të kodit diplomatik”, ka shtuar Nahshon. /Telegrafi/