Site icon Telegrafi

Autoritetet thonë se oficerët kundër terrorizmit do ta udhëheqin hetimin për vdekjen e deputetit britanik, David Amess

Hetimi për vdekjen e deputetit britanik David Amess i cili u ther me thikë gjatë një takimi elektoral, do të udhëhiqet nga oficerët e Komandës Kundër Terrorizmit, tha shefi i policisë së Essex, Ben-Julian Harrington.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Harrington deklaroi  se hetimi “është në fazat e hershme dhe po udhëhiqet nga oficerët e Komandës së specializuar Kundër Terrorizmit.

“Ne e bëmë të qartë në kohën e incidentit se ne nuk besonim se kishte ndonjë kërcënim të menjëhershëm dhe të mëtejshëm për këdo tjetër në zonë”, potencoi shefi i policisë.

“Tani i mbetet hetuesve të përcaktojnë nëse ky është apo jo një incident terrorist”,  thotë Harrington.

Shefi i policisë u shpreh se kur oficerët mbërritën në vendngjarje, Amess kishte pësuar “plagë të shumta”.

Lidhur me këtë rast u arrestua një burrë 25-vjeçar dhe i njëjti u dërgua në paraburgim.

Harrington thotë se oficerët mbërritën në vendngjarje “brenda pak minutash”.

“Ky ishte një incident i vështirë, por oficerët tanë dhe mjekët e urgjencës … punuan jashtëzakonisht shumë për ta shpëtuar atë”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Vdes deputeti britanik i cili u ther disa herë me thikë

“Tragjikisht ai vdiq në vendin e ngjarjes”, ka shtuar shefi i policisë.

Sipas Harrington, burri 25-vjeçar u arrestua nën dyshimin për vrasje. Në vendngjarje është gjetur edhe një thikë.

Sky News ka raportuar se burri i arrestuar thuhet se është një shtetas britanik me prejardhje nga Somalia. /Telegrafi/

Exit mobile version