Telegrafi

Autoritetet shtetërore ndalojnë prodhimin ilegal të barnave në një punëtori private

Njësiti i Krimeve Ekonomike nga Peja në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, të mërkurën, në Prizren, ka bastisur dy shtëpitë e të dyshuarës me inicialet A.K. për shkak të dyshimeve për ushtrimin e kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike, pastaj prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të dëmshme mjekësore dhe veprën penale të shmangies nga tatimi.

Bashkë me zyrtarë të tjerë policorë dhe inspektorët e Agjencisë për Produkte Mjekësore të Kosovës dhe të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, prej orës 8:30 deri në orën 11 është kontrolluar laboratori, përkatësisht punëtoria ilegale për prodhimin e barnave pa licencën e autoriteteve shtetërore, pas të cilit veprim, sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, janë ndaluar A.K. dhe bashkëshorti i saj O.K., për 24 orë, shkruan sot Koha Ditore.