Autoritetet e Shëndetësisë në Dubai (DHA), kanë udhëzuar qytetarët të zbatojnë rregullat e distancimit shoqëror; të pastrojnë duart si dhe t’i bartin maskat gjatë festës së Kurban Bajramit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Badreya Al Harmi, drejtoreshë e DHA-së, tha se njerëzit duhet të bëjnë kujdes, në qoftë se ata frekuentojnë sallonet e bukurisë gjatë festës.
Të gjitha udhëzimet për sa i përket higjienës vlejnë edhe për vizitat në qendrat tregtare si dhe në restorante.
“Nuk ka lehtësim të masave për sa i përket vendosjes së maskës, mbajtjes së distancës dhe pastrimit të duarve. Njerëzit duhet të jenë vigjilentë dhe t’i respektojnë të gjitha rregullat gjatë festës së Bajramit”, u shpreh zyrtarja.
Ndërkohë, bazuar në direktivën e qeverisë, Harmi tha se lutjet për festën e Kundër Bajramit duhet të kryhen në shtëpi.
“Nuk duhet t’i vizitoni gratë shtatzëna, të moshuarit, njerëzit me sëmundje kronike si dhe fëmijët. Ky grup gjithashtu duhet të shmangë daljet në hapësirat publike”, tha Al Harmi.
Ajo potencoi se qytetarët duhet të vazhdojnë të ndjekin masat e përgjithshme paraprake të cilat përfshijnë: qëndrimin në shtëpi për personat që kanë ethe ose ndonjë simptomë, mbajtjen e distancës fizike, bartjen e maskës, dhe pastrimin e duarve. /Telegrafi/