Ndonëse, në bazë të fletarrestit të shtetit serb, autoritetet franceze arrestuan dhe po zhvillojnë proces gjyqësor ndaj ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, vetë autoritetet serbe nuk besojnë se njëri nga ish komandantët e UÇK-së dhe lideri aktual i AAK-së, do të ekstradohet në Serbi.
Vetë zëvendëskryeministri i Serbisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar se do të befasohej nëse Gjykata e Colmar në Francë vendos nesër për ekstradimin e ish komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinajt në Serbi.
“Sinqerisht, do të isha i habitur sikur gjykata do të ekstradonte Haradinajn në Serbi, duke pasur parasysh praktikën aktuale, përvojën dhe politilizmin e këtij rasti. Sikur të vendosej me argumentet ligjore e jo politike, vendimi mbase do të ishte ndryshe”, tha Lajiq për Televizionin e Vojvodinës, transmeton Telegrafi.
Ai tha se nëse gjykata vendos për lirimin e Haradinajt, Serbia nuk duhet të heqë dorë nga fletarresti për ndjekje penale të politikanit kosovar për krime lufte.
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pret lirimin e tij nga gjykata franceze në Colmar, ku po mbahet që nga data 4 janar kur është arrestuar sipas një fletarresti të Serbisë, nën akuzat për krime lufte. /Telegrafi/