Telegrafi

Adoleshenti që dyshohet se vrau nëntë persona kishte një plan të detajuar, policia serbe gjeti skica dhe një listë me emra

Një 14-vjeçar dyshohet se ka vrarë nëntë persona në një shkollë në afërsi të Beogradit.

Nxënësi i identifikuar si Kosta K. raportohet se ka vrarë tetë nxënës dhe rojën e shkollës “Vladislav Ribnikar” në Vraçar.

Djaloshi personalisht ka treguar se ka qëlluar me armë zjarri disa persona, tha sot zëvendëskryetari i administratës së qytetit të Beogradit, Veselin Miliq.

Ai shtoi se armën e ka marrë nga banesa e babait të tij ndërsa kishte edhe katër kokteje molotov, raporton nova.

Miliq deklaroi se kanë zbuluar edhe një listë me emra në banesën e Kosta K. Në të ishin shkruar emrat e nxënësve që ai planifikoi të vriste.

“Kjo ka qenë e planifikuar për një muaj. K.K. e ka planifikuar për një kohë të gjatë, nuk ka bërë të ditur motivin. Armën e zjarrit e ka marrë nga banesa e babait të tij dhe e ka sjellë me katër kokteje molotovi”, tha ai.

Përveç kësaj, ai raportohet se kishte një planimetri të saktë të shkollës, hyrjet dhe daljet. /Telegrafi/