Autoritetet saudite kanë marrë vendim që ta lirojnë nga paraburgimi modelen e cila ditë më parë kishte nervozuar të gjithë, duke filmuar veten gjatë ecjeve të saj në rrugët e një fshati, derisa ishte e veshur me një minifund.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, gruaja, e identifikuar si Modelja Khulood, ishte liruar pasi hetuesit kanë thënë se videoja ishte postuar në rrjetet sociale, pa dijeninë e saj.
“Ajo është liruar pa ndonjë dënim dhe rasti është mbyllur nga prokurori”, thuhet në një deklaratë të Qendrës saudite për komunikime ndërkombëtare.
Një video e saj në Snapchat duke u shëtitur nëpër një fshat e veshur me një minifund provokoi komentet dhe zemërim duke kulminuar me arrestimin e saj.
Gratë në mbretërinë ultra-konservatore janë të detyruara me ligj të veshin rroba dhe shami, janë të ndaluara të ngasin vetura dhe u kërkohet përcjellje nga një mashkull gjatë aktiviteteve të tyre jashtë shtëpisë së tyre. /Telegrafi/