Site icon Telegrafi

Autoritetet në Maqedoni problematizojnë bashkësinë e re islame

Autoritetet zyrtare në Maqedoninë e Veriut thonë se regjistrimi i Bashkësisë Islame Selefie, do të sjellë përçarje të thella mes komunitetit mysliman për shkak të tendencës për paralelizëm kundrejt Bashkësisë Fetare Islame.

Regjistrimi i kësaj bashkësie konsiderohet se paraqet problem për sigurinë e vendit.

Me vendim të Gjykatës Civile, më 22 dhjetor të vitit 2020 është regjistruar Bashkësia Islame Selefie “Dar El Hadis” në Regjistrin e vetëm gjyqësor për kisha, bashkësi fetare dhe grupe religjioze nga ana e gjykatëses Suzana Donçevska.

Në dokumentacionin juridik, si themelues i bashkësisë qëndron Shejh Xhemal Jakupi me seli në Shkup.

Jakupi thotë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i kësaj bashkësie ka për qëllim, “predikimin në bazë të konceptit selefi që paraqet kuptimin e pastër të fesë islame bazuar në Kuranin dhe traditat e profetit Muhamed”.

Ai mohon t’u takojë rrymave radikale duke shtuar se puna e institucionit që përfaqëson, me vetë regjistrimin zyrtar, ka për qëllim transparencën dhe se nuk pranon t’i quajnë selefistë.

“Emri ynë zyrtarisht është regjistruar si Bashkësia Islame Selefie ‘Dar el Hais’ dhe nuk pranojmë të na quajnë bashkësi selefiste apo selefista. Është e natyrshme që të ketë akuza kur dikush bën një veprimtari qëllimmirë dhe të drejtë. Patjetër se do të ketë manipulime, por pikërisht kjo formë e organizimit është për t’u sqaruar këto manipulime dhe akuza. Do të thotë që të jemi të dukshëm dhe transparent dhe të mos lihet vend për thurje të konspiracioneve ose mjegullinave rreth nesh, por të dalim me fytyrë të hapur dhe të jemi transparent – ky është qëllimi ynë themelor dhe kryesor”, thotë Jakupi, themelues i Bashkësisë Islame Selefie.

Por, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të premten ka theksuar se themelimi i bashkësisë së re fetare islame paraqet problem për sigurinë e vendit.

“Jam i informuar nga ministri i Drejtësisë, se një gjykatë e caktuar e jona ka bërë regjistrimin e bashkësisë së tillë, e cila nga aspekti i sigurisë së shtetit, paraqet problem. Besoj që vetë organet kompetente do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të tilla”, ka deklaruar Zaev, pa sqaruar se pse paraqet problem për sigurinë e vendit.

Edhe myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, thotë për Radion e Evropa e Lirë se themelimi i kësaj bashkësie nxit përçarje mes besimtarëve myslimanë në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se në njëfarë forme regjistrimi i tyre legalizon aktivitetet radikale të tyre.

“Po kjo (regjistrimi kësaj Bashkësi Islame) do të legalizonte të gjitha ato bindjet që ndoshta janë më radikale, janë më ekstreme, tashmë e legalizojnë punën e tyre dhe asgjë më nuk do të bëjnë në mënyrë ilegale, pra do ta bëjnë në mënyrë legale. Dhe, kjo do të sjellë deri te kacafytja apo zënkat mes myslimanëve këtu, marrë parasysh se tani gjithkush do të thirret në legalitetin e punës së vet”, thotë Ismaili.

Myftiu Ismaili thotë se termi “selefi” në botë njihet si ideologji ekstreme dhe radikale.

“Selefitë njihen si njerëz me ideologji dhe frymë ekstrem të cilët bëjnë veprime ekstreme në fe. Megjithëse me termin selefi, sipas islamit, nënkuptohet gjenerata e parë e Profetit Muhamed. Islami nuk ka problem me selefizmin, por për shkak të akteve të ndryshme radikale në botë që kanë ndodhur në emër të selefizmit, ka bërë që të njihen si qarqe radikale”, shton Ismaili.

Një ditë më parë ka reaguar dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, pasi siç kanë theksuar nga kjo bashkësi, sipas ligjit, nuk lejohet regjistrimi i dy institucioneve të njëjta fetare, duke shtuar se kjo dëmton unitetin e myslimanëve.

Nga Bashkësia Fetare Islame kanë bërë të ditur se janë marrë edhe hapa juridikë pranë Gjykatës së Apelit për shfuqizimin e vendimit të gjykatëses Suzana Donçevska, e cila e ka regjistruar Bashkësinë Islame Selefie, pasi siç kanë theksuar, kjo paraqet tentim për paralelizëm ndaj institucionit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut

Evzal Sinani, shef i kabinetit të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut në reagimin për media u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të mos bien pre e kësaj bashkësie fetare.

“U bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe bashkatdhetarëve tanë në Evropë e gjetiu, mos të bien në grackën dhe kthetrat e bashkësisë së themeluar nga Donçevska dhe me bindje të paluhatshme u tregojmë se kjo bashkësi është pjellë e strukturave dashakeqe në vend për ta dëmtuar thellë unitetin e myslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkësinë Fetare Islame, në veçanti. Bashkësia Fetare Islame njofton të gjithë se ky akt është i dëmshëm për shoqërinë tonë, prandaj në mënyrë kategorike dhe pa kompromis do të vazhdojë të mbrojë unitetin dhe dinjitetin e besimtarëve të vendit”, ka deklaruar Evzal Sinani, i cili ka shprehur qëndrimin e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, Darjan Sotirovski, drejtor i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, bën të ditur se tashmë është formuar një komision për të shqyrtuar themelimin e Bashkësisë Fetare Islame Selefie.

Sotirovski thotë për Radion Evropa e Lirë se rregullativa ligjore nuk i definon qartë dispozitat për regjistrimin e bashkësive fetare.

“Korniza Ligjore është e gjerë, nuk është mjaftueshëm e qartë, pasi kushtet për regjistrim mbeten në vullnetin e kërkuesve për regjistrim. Këtë situatë, ne, si komision, do ta analizojmë. Unë, si drejtor i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, e mirëkuptoj dhe bashkëndjej shqetësimin e shfaqur nga Bashkësia Fetare Islame”, deklaron Sotirovski.

Ndryshe, në dokumentin zyrtar të vulosur nga Gjykata Civile e Shkupit për themelimin e Bashkësisë Islame Selefie, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, theksohet se “Bashkësia Islame Selefie ‘DAR EL HADIS’ me seli në Shkup, merr të drejtën e personit juridik me ditën e regjistrimit në regjistrin e vetëm gjyqësor për kisha, bashkësi fetare dhe grupe religjioze për ‘bashkësi fetare’, që udhëhiqet pranë Gjykatës Civile dhe mund të fillojë me punë nga 22.12.2020”, thuhet në dokumentin e Gjykatës Civile. dhe e njëjta është e detyruar që në afat prej 15 ditëve nga dita e regjistrimit në regjistrin gjyqësor, të hapë llogari rrjedhëse./Rel/

Exit mobile version