Telegrafi

Autoritetet në Gaza thonë se deri më tani janë vrarë 17,700 palestinezë

Ministria e shëndetësisë e Gazës e udhëhequr nga Hamas pretendon se afër 18 mijë palestinezë janë vrarë që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas pas sulmeve të 7 tetorit.

Sipas njoftimit të tyre, 17,700 persona kanë vdekur dhe 48,780 janë plagosur pas sulmeve ajrore izraelite dhe operacioneve tokësore të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit brenda enklavës, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Aeroplani me pasagjerë zbarkon në Tel Aviv derisa Kupola e Hekurt rrëzon raketat e Hamasit

Numrat nuk janë verifikuar dhe zyrtarët izraelitë kanë thënë vazhdimisht se besojnë se kjo shifër është shumë më e ulët, duke pretenduar se Hamasi po i rrit këto shifra të ministrisë.

Janë bërë dy muaj prej kur shpërtheu lufta mes Hamasit dhe Izraelit, pas sulmit që filloi grupi palestinez më 7 tetor.

Në atë ditë, Hamasi kishte lansuar mijëra raketa në Tel Aviv madje kishte mobilizuar luftëtarët e tij në komunitetet jugore të Izraelit, duke vrarë 1,200 persona e duke rrëmbyer dhjetëra.

Si shenjë hakmarrjeje, Izraeli nisi bombardimin e Gazës e duke mobilizuar më vonë edhe trupat tokësore në rajon.

Forcat tokësore izraelite vazhdojnë të operojnë atje, por edhe sulmet ndaj Izraelit nga Hamasi nuk janë ndalur.