Telegrafi

Autoritetet indoneziane dalin me shifrat e tragjedisë në futbollin e tyre: 125 persona kanë vdekur

Autoritetet e Indonezisë kanë bërë të ditur se së paku 125 persona deri më tani kanë vdekur nga tragjedia që ndodhi në futbollin e tyre.

Sipas asaj që raporton BBC Sport, qindra tjerë janë lënduar, ndërsa skuadra Arema pësoi në shtëpi të shtunën nga ekipi Persebaya Surabaya me rezultat 3-2.

Autoritetet e Indonezisë fillimisht kishin raportuar për 174 të vdekur, mirëpo kjo shifër është ndryshuar tashmë, duke thënë se 125 persona kanë vdekur.

Në fund të ndeshjes tifozët ishin futur në fushë për t’u përleshur, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Tifozët në panik kishin ikur në drejtim të derës së daljes në stadiumin “Kanjuruhan”, ku shumë prej tyre vdiqën nga asfiksia ndërsa pati edhe shtypje.

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka urdhëruar që gjitha ndeshjet e elitës së Indonezisë, të ndalohen derisa të përfundohet hetimi.

Muhamad Dipo Maulana 21-vjeçar, që ishte dëshmitar, i ka thënë BBC-së se ka dëgjuar më tepër se 20 bombola gazi duke u hedhur në drejtim të tifozëve.

“Kishte shumë zhurmë”, ka deklaruar ai.

Është një nga tragjeditë më të rënda në stadiume të futbollit. /Telegrafi/