Tetë fëmijë dhe një rojë sigurie janë vrarë në një shkollë fillore të Beogradit, ku i dyshuari për rastin është një nxënës 14-vjeçar i klasës së shtatë.
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq tha në një konferencë për media se policia ka arrestuar babanë e të miturit KK, i cili dyshohet se përdori armën e të atit në këto të shtëna, transmeton Telegrafi.
Të dy pistoletat siç raportohet nga mediet e rajonit ishin të regjistruara dhe siç theksoi edhe Gashiq, ai ka shkuar në poligon për të ushtruar qitje.
Siç raportohet, ndaj prindit do të nisë procesi hetimor.
Veselin Miliq, shef i Departamentit të Policisë për Beograd, tha se djali i arrestuar KK kishte planifikuar sulmin për një muaj dhe se kishte përdorur një armë që ia kishte marrë babait të tij, si dhe se kishte me vete katër kokteje molotov. /Telegrafi/