Autopsia e aktivistit Astrit Deharit ku do të qartësohet vdekja e dyshimtë e tij pritet të bëhet sot në ora 14:00.
Kështu tha ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha në mbledhjen e Qeverisë.
Ajo ka treguar se në ekspertizë do të marrin pjesë ekspertët që ka propozuar familja e të ndjerit dhe se në të do të marrin pjesë edhe ekspertë nga EULEX-i.
“Procesi do të jetë proces transparent ku aty do të ketë ekspertë edhe nga EULEX-i. Kemi angazhuar dhe Inspektoratin e Shërbimit Korrektues. Në pajtim me të gjeturat do të ndërmarrin hapat varësisht nga raportet zyrtare që do të dalin për këtë rast”, tha Hoxha, duke treguar se ekspertiza do të fillojë në orën 14:00.
Ngushëllime për vdekjen e Astrit Deharit ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Edhe ai kërkoi hetime të pavarura për të ndriçuar rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit të shtunën në burgun e Prizrenit.