Site icon Telegrafi

Autonomia politike shtetërore dhe diplomacia imponuese

Nga katër elementet e sigurisë shtetërore, si ajo fizike, autonomia politike, zhvillimi dhe rendi, autonomia është elementi më kryesor e që njëkohësisht determinon edhe tre faktorët tjerë të sigurisë. Autonomia politike si element kyç i sigurisë shtetërore shpeshherë duke dashur të ruhet me çdo kusht si motiv i krenarisë apo i pamundësisë dhe pafuqisë reale, sjell po ashtu shumë dëme dhe mund të rrezikoj shtetin nga Diplomacia Imponuese. “Autonomia politike kuptohet si liri nga detyrimi për t’iu bindur urdhrave dhe kontrollit të të tjerëve”. Gjatë historisë Diplomacia Imponuese është përdorur shpesh, por në shtetin e ish Jugosllavisë është implementuar në vitin ‘99 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Pas Konferencës së Rambujesë, komuniteti ndërkombëtar me në krye NATO-n, u detyrua që përmes forcës të bind Millosheviqin për t’i dhënë fund shtypjes së Shqiptarëve në Kosovë.

Diplomacinë imponuese më së miri e njohin shtetet që janë çliruar nga kolonizatorët e tyre. Për këtë arsye shpesh këto shtete, të dala nga regjimet koloniale, mundohen me çdo kusht ta ruajnë autonominë e tyre politike qoftë edhe në këmbim të zhvillimit të ngadalshëm ekonomik, ose disa nga këto shtete shpesh janë të gatshme edhe të përballen me sanksione të ndryshme vetëm e vetëm për të ruajtur autonominë e tyre politike.

Si mund të humbet Autonomia politike?

Autonomia mund të humbet në disa mënyra, si pasojë e dëshirës për tu bërë mik me të fortin, ose e paqartësisë politike të një grupi politik apo individit siç ishte rasti me deklaratën e mëhershme të nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Blerim Shala, i cili me gjasë kishte harruar se Kosova është nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe po kërkonte edhe një mbikëqyrje ose protektorat extra për veriun dhe ndoshta në të ardhmen, për secilën pjesë të rebeluar të kësaj Kosove të “madhe” do të kërkojmë dhe vendosim nga një protektorat të vogël për ta na ruajtur apo për të na qetësuar për çdo ditë të zotit sa herë që trembemi apo ndihemi të pa sigurt?

Sidoqoftë autonomia politike mund të humbet edhe si shkak i brishtësisë politike, zhvillimit të dobët ekonomik dhe ushtarak ose thjesht si shkak i mosbindjes duke i detyruar më të dobëtit që me forcë të ndryshojnë sjelljen e tyre. “Diplomacia imponuese është kërcënimi dhe/ose nëse është e nevojshme përdorimi i kufizuar i forcës, i ndërmarr për të bërë një kundërshtar që t’u bindet dëshirave të imponuesit. Administrata e Presidentit Bush (të vjetrit) kishte folur rreth përdorimit “parandalues” të forcës e që më vonë këtë strategji e kishte implementuar edhe Presidenti Bill Klinton me rastin e sulmit kundër Serbisë në vitin ‘99, dhe pastaj po këtë diplomaci e vuri shpesh në përdorim edhe Presidenti Bush i Riu.

Republika e Kosovës dhe Autonomia Politike

Kosova si një shtet i ri ende është nën administrimin ndërkombëtar dhe këtë fakt nuk duhet ta anashkalojë as qytetari më i thjeshtë i Kosovës. Prandaj ruajtja e autonomisë politike ose ruajtja e mëvetësisë dhe politikbërjes autonome, është thuajse e pamundur. Është fat i mirë që krijimi i shtetit të Kosovës ishte dhe ende është interes strategjik i atyre që implementojnë Diplomaci Imponuese, përndryshe vendim marrësit tanë nuk mund të ëndërrojnë as për një autonomi politike fiktive e jo siç deklarojnë disa se janë autonom në vendimet e tyre ose siç trumbetojnë disa tjerë se mund të merrnin vendime të “mëdha”, sikur ata të ishin akterë të vendimmarrjes në Kosovë.

Sidoqoftë vendimmarrësit Kosovarë mund të gjejnë mënyra të ndryshme për të ruajtur pak autonomi politike me çdo kusht, sepse pa këtë autonomi edhe ky pak shtet që e kemi do të pushonte së ekzistuari. Po e marrim si shembull procesin e famshëm të liberalizimit të vizave që për qytetarët e Kosovës nuk është një çështje jetike ekzistenciale, por në qoftë se për hir të liberalizimit bëhen lëshime në rregullimin e brendshëm të Kosovë, duke heq dorë vullnetarisht nga ndonjë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, në fakt ne pastaj nuk do të kemi as autonomi politike dhe as shtet sepse këto dyja janë ngushtësisht të lidhura njëra me tjetrën.

Republika e Serbisë

Serbia si pjesë e ish Jugosllavisë e kishte përjetuar më së rëndi peshën dhe goditjen e Diplomacisë Imponuese nga sulmet e NATO-s kundër saj me 25 mars 1999.

Serbët që nga ajo kohë e deri më sot nga kjo diplomaci kishin arritur dhe po arrijnë të nxjerrin disa avantazhe. Serbia edhe pse është fajtore për të gjitha luftërat, gjenocidin dhe tmerret në territorin e ish Jugosllavisë ajo me sukses është në avantazh ndaj faktorit ndërkombëtar, ndaj Kosovës dhe ndaj opinionit të vet të brendshëm.

Pse është në avantazh dhe si po e mashtron faktorin vendor, ndërkombëtar dhe Kosovën, Serbia? E para – realisht dhe historikisht Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë, e dyta – ata (serbët), shfrytëzojnë viktimizimin e tyre (pa dhënë llogari për dëmet e luftës në ish Jugosllavi), nga Diplomacia Imponuese për të përfituar sa më shumë nga Evropa, dhe e treta – për tu arsyetuar para opinionit vendor për gjoja armiqësinë e përhershme të tërë botës kundër një shteti të arsyeshëm dhe të drejtë dhe përfundimisht, shikuar nga aspekti i së ardhmes historike, ata (serbet), po ngrehin në mënyrë të vazhdueshme alibinë për padrejtësinë ndërkombëtare kundër tyre, që në të ardhmen, të rikthejnë si çështje të pazgjidhura në tryezat e bisedimeve, të tëra këto gjoja padrejtësi që po u bëhen dhe herë do kur, të rikthejnë atë territor që gjoja u është marrë me forcë dhe padrejtësi, Kosovën.

A mund të përdoret Diplomacia Imponuese në rastin e veriut?

Natyrisht që Diplomacia imponuese është përdorur dhe përdorët gjatë krizave të mëdha ndërkombëtare por sigurisht që po të ekzistojë vullnet i mirë, me lehtësi mund të përdorët edhe në rastin kur tendencat për konflikte të mëdha hiperbolizohen, siç është çështja e veriut të Kosovës. KFOR-i si forcë ushtarake paqeruajtëse ka dhënë shenjat e para se një diplomaci e tillë mund të përdorët me sukses ditën kur u konfrontua me strukturat paralele dhe paramilitare serbe në veri.

Në qoftë se vendimmarrësit në Bruksel dhe Washington dëshirojnë të implementojnë Diplomacinë Imponuese ndaj Republikës së Serbisë, këtë mund ta bëjnë në dy drejtime: me kushtëzimin për hyrje të Serbisë në BE, (në aspektin diplomatik dhe politik), dhe e dyta ata munden dhe duhet të përdorin kërcënimin, frikën dhe ndoshta fare në fund edhe një forcë të kontrolluar kundër strukturave paralele dhe paramilitare në veri, për të bindur dhe disiplinuar këto grupe kriminale me qëllim që qeveria e Republikës së Kosovës të jetë e aftë dhe e gatshme për të administruar territorin e saj, për të garantuar pushtetin, legjitimitetin, për të përfituar bindjen si dhe për të shuar apo shtypur mos bindjen.

Në ditët në vijim mbetet të shohim se si do të veprojë KFOR-i, si do të reagojnë strukturat paralele, paramilitare, kriminale serbe dhe si do pozicionohet më në fund Serbia.

(Autori është udhëheqë i Divizionit të Analizave dhe Planifikimit Emergjent në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës)

Exit mobile version