Telegrafi

Autonomia e veriut e dobishme, në rast të njohjes reciproke

“Në fund, integrimi i serbëve të veriut nëpërmjet dhënies së një autonomie, Ahitsaari Plus apo statusi special do të ishte shumë i dobishëm për Prishtinën, me kusht që kjo edhe përfundimisht do ta përkufizonte njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Rashiti për Telegrafin.

Duke komentuar platformën e qeverisë serbe, Rashiti ka vlerësuar se kjo është përafërsisht opsioni i Serbisë për zgjidhjen e raporteve me Kosovën, në veçanti për veriun, edhe pse tash për tash nuk është e qartë nëse ky është pozicion fillestar apo final.

“Ajo çka mund të themi tash me siguri është se ka një kontradiktë ndërmjet platformës dhe dialogut, i cili po ndodhë tash. Disa mendojnë se ky është dokument pune mbi të cilin Beogradi shpreson të negociojë me bashkësinë ndërkombëtare. Të tjerët vlerësojnë se kjo është vetëm për konsum të brendshëm. Kësaj platforme qartë i mungon klauzola për normalizim dhe njohje dhe kjo e bën dokumentin edhe më të paqartë”.

Rashiti mendon se me siguri Prishtina do ta refuzojë një platformë të tillë, diçka që pritet ta bëjnë edhe shumë shtete përkrahëse të sovranitetit të Kosovës.

Ai vlerësoi se roli koordinatorit të bisedimeve Blerim Shala do të theksohej në kohën kur dialogu politik do të mund të binte në nivel më të ulët sesa ai i kryeministrave.

“Ky nivel i lartë do të qëndrojë për aq kohë sa baronesha Catherine Ashton ka kohë të merret me këtë çështje, ndoshta jo më gjatë se qershori apo vjeshta e vitit të ardhshëm. Por, procesi i normalizimit do të vazhdojë edhe pas qershorit dhe niveli më poshtë se i kryeministrave do të ishte përgjegjësi e Shalës, i cili përveç koordinimit me partitë duhet edhe ta zgjerojë gamën e konsultimeve me shoqërinë civile dhe palët e interesuara”, ka thënë Rashiti.

Analisti i ICG-së ka vlerësuar se PDK dhe AAK janë përcaktuar për një bashkërendim sa i përket dialogut, ndërsa me siguri se edhe LDK do të jetë më aktive.

“Nuk e dimë me saktësi se çfarë po negociojnë dy liderët, Thaçi e Haradinaj, por koalicioni ndërmjet këtyre partive do të ndodhë. Çështja është se kur, para apo pas zgjedhjeve. Me gjasë para tyre”, ka thënë Rashiti. /Telegrafi/