Site icon Telegrafi

Autonomi, jo Këshill Drejtues në UP

Pushtetarët, që nga Qeveria e deri te menaxhmenti i UP-së dhe disa organizata studentore, që më së paku janë të tilla, kur flasin për Universitetin dhe rrugën që duhet të ndjek ky institucion, thonë se ai duhet të depolitizohet në mënyrë që ai të jetë autonom. Sigurisht kjo është vetëm një retorikë e cila ka si synim futjen e partisë në pushtet – edhe më shumë. Pra, si kundërpozicion të politizimit të Universitetit, pra ngritjes së vetëdijes studentore dhe qenësimit të saj, kanë partizimin e tij dhe zbutjen e pakënaqësive brenda Universitetit të Prishtinës dhe jo vetëm aty. Kjo është e kundërta e autonomisë!

Po ta analizojmë me vëmendje statutin e Universitetit të Prishtinës do ta shohim që brenda saj autonomia është e mohuar. Dhe, ky qëllim realizohet përmes organit të quajtur “Këshilli Drejtues”, i cili është organ suprem dhe që nuk jep përgjegjësi ndaj askujt brenda UP-së dhe i raporton kolektivisht vetëm Ministrisë së Arsimit. Përmbajtja e këtij këshilli, ku nga nëntë anëtarë sa ka gjithsej, katër zgjedhen nga Ministria, bën që Universiteti të mos mund të jetë i pavarur dhe kësisoj i partizuar. Pra, hallka e cila aktualisht po e ndalon autonominë e Universitetit është pikërisht Këshilli Drejtues, organ ky i cili do të duhej të zhdukej nga Universiteti. Kështu, qëllimi është uzurpimi, mjeti është Këshilli Drejtues.

Pika 1 e nenit 16 të statutit të Universitetit të Prishtinës thotë që autoritetet kryesore qeverisëse të Universitetit janë Këshilli Drejtues, Rektori dhe Senati. Ndërkaq, pika 1 e nenit 17 thotë që Këshilli Drejtues i Universitetit (më tej “Këshilli Drejtues”) është autoriteti kryesor qeverisës i Universitetit. Neni i fundit nënkupton që të gjitha organet tjera janë veçse formale, sepse janë të përjashtuara nga vendimmarrja për Universitetin. Ato vetëm simbolikisht janë të shquara si organe kryesore, pasi Këshilli Drejtues e ka fuqinë kryesore – nëpërmjet përgjegjësive që i janë të përshkruara në Statut.

Nëse e shikojmë statutin e Universitetit të Lubjanës, ndoshta do ta kuptojmë më qartë se si është kapur Universiteti jonë nga pushteti. Paragrafi 33, pika 6 e Statutit të Universitetit të Lubjanës thotë që menaxhmenti i këtij institucioni përbëhet nga Rektori, Senati, Këshilli Administrativ dhe Këshilli Studentor. Asnjëri nga këto organe nuk kanë kompetencat që ka Këshilli Drejtues i UP-së dhe për më tepër Këshilli apo Bordi Administrativ në këtë Universitet vendos vetëm për çështje të natyrës ekonomike.

Na duhet autonomia në Universitet, por këtë na e ndalon pushteti nëpërmjet Këshillit Drejtues. Autonomia dhe Këshilli Drejtues nuk mund të shkojnë së bashku. Duhet ta heqim njërin që ta kemi tjetrën. Duke e mohuar Këshillin Drejtues, ne e kemi pohuar autonominë. Duke e kundërshtuar Këshillin Drejtues, e kemi përkrahur autonominë. Duke e fituar autonominë e kemi shporrë Këshillin Drejtues.

 

Exit mobile version