Një aksident me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur ka ndodhur pasditen e së martës në Vlorë.
Burime bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në fshatin Bestrovë, ku një automjet ka përplasur 2 biçikleta ku udhëtonin një çift turistësh francezë.
Për pasojë një prej tyre ka ndërruar jetë.
Policia tha se aksidenti u shënua rreth orës 15:20, në aksin rrugor Bestrovë-Vlorë, ku automjeti me drejtues shtetasin K. D., 24 vjeç, banues në fshatin Oshtimë, Vlorë, ka aksidentuar 2 shtetas francezë (bashkëshortë), që udhëtonin me 2 biçikleta.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë shtetasja franceze V. K., 51 vjeçe, ndërsa bashkëshorti i saj shtetasi F. M., 47 vjeç, ndodhet në spitalin e Vlorës, nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi K. D., u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. /Telegrafi/