Telegrafi

Automjetet me targa të vjetra edhe këtë vit

Edhe këtë vit targat e vjetra të Kosovës me emrat e qyteteve, nuk do të tërhiqen nga qarkullimi, ndërsa kompanitë vendore të sigurimeve do të vazhdojnë të paguajnë për dëmet e tyre që i shkaktojnë në komunikacion.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk do t’i lëshojë në qarkullim targat e reja të Kosovës më herët sesa fundi i këtij viti.

 Targat civile do të mbeten në fund të vitit, ndërsa prioritet do të kenë targat diplomatike të cilat pritet të shpërndahen në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa më pas u vjen radha targave zyrtare.
Për targat e vjetra me emrat e qyteteve të Kosovës (Pr, Gl, Ur etj), në Ministrinë e brendshme thonë se ato lejohen me një vendim ekzekutiv që e ka nxjerrë përfaqësuesi special vite më parë, ndërsa Qeveria disa vendime të përfaqësuesit special i ka vazhduar me automatizëm deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër.

Heqja nga qarkullimi i këtyre targave do të ndodhë pasi të fillojë shpërndarja e targave të reja të Republikës së Kosovës, e me këtë, të gjitha qytetarët obligohen që të pajisen me to.
Në anën tjetër dëmet në komunikacion të cilat i shkaktojnë këto automjete vazhdojnë t’i paguajnë kompanitë vendëse të sigurimeve, ndonëse një vit më parë kryeministri Hashim Thaçi u kishte premtuar kompanive se “do tua heqë këtë barrë të rëndë”.

Janë më shumë se një milion euro dëme të shkaktuara nga automjetet me targat e vjetra të cilat i mbajnë kryesisht minoritarët serbë, të cilat dëme i ka paguar Fondi i Garancisë së Kosovës, i përbërë nga kompanitë e sigurimeve.
Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se janë në finalizim të procesit të lëshimit të targave të reja të Kosovës, ku kanë kompletuar infrastrukturën e nevojshme ligjore, instalimin e sistemit online të regjistrimit të automjeteve, në kuadër të projektit qeveritar për qeverisje elektronike.

“Në tremujorin e parë të këtij viti do të fillojnë lëshimin e targave diplomatike, ndërsa në të dytin do të vazhdojnë me targat e institucioneve shtetërore, ndërsa në fund të vitit do fillojnë me ato të rëndomta”.
Ndërkohë për vonesën e targave të reja, ai konsideron se procesi ka qenë më i rëndësishëm se afati kohor dhe thotë se kanë qenë të prirë që te kenë një proces të besueshëm.

“Nuk kemi dashur që të lëshojmë me nguti këto targa dhe pastaj qytetarët të hasin në vështirësi gjatë lëvizjes në vende të ndryshme jashtë vendit. Jemi siguruar që të gjitha targat të jenë në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare dhe që te kemi legjislacion apo bazë ligjore për lëshimin e këtyre targave. Për këtë kemi marrë vlerësim pozitiv nga partnerët ndërkombëtar”, tha ai.
Në anën tjetër, Rrustem Mustafa, kryetar i Komisionit parlamentar për siguri, jep kritika për vonesën e lëshimit të targave të reja. “Për këtë çështje nuk mund të them më shumë, përveç faktit se te ne mungojnë kapacitetet e njerëzve që punët t’i organizojnë më mirë dhe të kryhen punët në kohë më të shpejtë”, tha ai.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme që gjatë vitit të kaluar kishte premtuar se në qershorin e vitit 2009 nuk do të lejojë më qarkullimin e automjeteve me targa të vjetra, qarkullimi i tyre do të mbetet edhe këtë vit. UNMIK-u lejonte qarkullimin e këtyre automjeteve me urdhër të përvitshëm, ndërsa urdhri për qarkullimin e tyre nuk është vazhduar më që nga prilli i vitit 2008. Por, edhe pas përfundimit të mandatit të UNMIK-ut dhe dy vjet pas pavarësisë së shtetit, këtyre targave që bartin elemente të një sovraniteti joekzistues, ende nuk ju thuhet "stop".(lajm)