Site icon Telegrafi

“Autochthonous”

“Kush e qëndisi flamurin e pavarësisë”, po i pyeste fëmijët mësuesi veteran, në vigjilje të Pavarësisë? Në klasë mbretëroi heshtje! “Hë pra, Ma… Ma…”?! Prapë heshtje! “Mari…”, po insistonte mësuesi?! “Marihuana”, u përgjigj nga fundi i klasës, Luli i Vocërr nga Lazarati! Opingat e mësuesit të varfër sikur e kishin hapur gojën të gëlltisnin çunin! Është festë…!

Salla e madhe, përplot refugjatë shqiptarë të sapoardhur nga Kosova, po gumëzhinë gëzueshëm! Ata e kaluan ilegalisht kufirin me Hungarinë dhe pas shumë e shumë peripecish arritën në Munih të Gjermanisë. Po përgatiten me e festue festën e Pavarësisë! Me ato pak para që ata kanë kursyer, ose kanë marrë borxh, do të blejnë ndonjë “dron” të lirë dhe do të bëjnë të valëvis përplot krenari flamuri ynë kombëtar, me të gjitha pretendimet tona territoriale! Pas Beogradit, radhën e kishte… Munihu!

Ndoshta, dikush do të kapet për fjale, e do të thotë se ata nuk mund të quhen refugjatë! Pajtohem, ata janë thjesht emigrantë! Fjala refugjat i bënë të duken sikur të kenë ikur nga vendi i tyre! Ruana Zot, çfarë është kjo fjalë?! Refugjatët ikin vetëm nga vendet në luftë! Por, te ne nuk ka luftë! Te ne ka vetëm paqe! Edhe na mjafton! Nejse!

Me gjithë lulëzimin ekonomik të pranuar ndërkombëtarisht, me gjithë bumin politik e patriotik, e madje edhe euroatlantik të vendit, populli ynë, historikisht mosmirënjohës, po ikë nga Kosova! Me gjithë politikanët më të pasur në rajon! Me gjithë ato vende pune që rrinë bosh, prapëseprapë po ikë! Por… ne kemi shtet!

Të lumtë shtet! Policia jonë heroike nuk e lejon ikjen masive. Krejt po zhvillohej në heshtje, vonë natën, por tradhtarët e denoncuan në “Facebook”! Vetëm për një natë, në Ferizaj tentuan të nisen gjashtë autobus me rreth 300 “turistë”, të cilët po synonin Gjermaninë! Pa viza! Policia i ndali!

Për festën e Pavarësisë, të gjitha yjet e estradës do të shkojnë në Evropë! “Po bëhet mirë”, u përhap fjala! Nuk e ndal asgjë këtë popull të kapet në valle. Të gjithë duam të shkojmë në Evropë! Me festue pavarësinë!

Përndryshe, në kokën tjetër të shqiponjës, sot shqiponjat janë zgjuar herët! Shqipëria historike është zgjuar nga gjumi! U deshtë një italian që sërish të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë! Ai duhet të marrë dekoratën “Nderi i kombit”! Edhe Ivica në Beograd i këndonte Edit në vesh këngën patriotike: “O solle mio”!

Pra, në malet e Shqipërisë etnike është festë! Ka lulëzua biznesi. Krejt shqiponjat, për çmime astronomike janë prenotuar prej bizneseve vendore dhe ndërkombëtare. Çkado që fluturon dhe që ka pupla, mund të performojë nëpër sheshet e stadiumet anembanë trojeve etnike dhe në trojet tona në diasporë. Në këtë eufori nuk dallohet sorra nga shqiponja!

Kështu, disa ditë të gjithë do të jemi shqiptarë! Askush në botë nuk do të jetë më shqiptarë se ne! Konjaku do të rrjedh lum, e “Skënderbeu” do të bëjë kërdi ndër ne! Edhe birrat “Tirana”, “Korça”, “Peja” do të rrjedhin përgjatë Rrugës së Kombit, e do të derdhen në Adriatik! Të gjitha llojet: Kuqalashe, bjonde apo brune! Unë i preferoj brunet! Dikush do të dehet edhe me “shlivovicë” apo “votka’”, por ku ka patriotizëm në raki, or vëlla!

Përndryshe, Koço Kokëdhima e ka gabim kur mendon se të rinjve shqiptarë u duhet lejuar vetëm narkotiku i “butë”! Ai këto ditë propozoi legalizimin e marihuanës! Nuk mjafton Koço! Na duhet narkotik më i fortë për t’na e kthyer vetëbesimin. Nacionalizmi për shembull! Por, na duhet një nacionalizëm me ngjyra evropiane! Kontrabandë!

U pa puna! Pa e kuptuar fare paskemi vdekur si komb! Në kujtesë lundrojnë anijet të cilat nën peshën tonë u fundosen në Grykën e Otrantit! Në Danub përmbysen varkat e “turistëve” kosovarë, që janë mërzitue nga jeta e mirë dhe monotone. Eh!

Nejse, dialogu në vijim është vetëm për 18+! Jo se përmbajtja ka të bëjë me pornografi .

Ku dinë fëmijët çka janë metaforat! Krejt i marrin në kuptimin e pare! Sot e kësaj dite, lejleku për ne ende përmban elemente prindërore.

Keni dëgjuar për ndonjë gjuetar që gjuan lejlekun? Të gjitha shpezët dhe shtazët e tjera, po! Nuk ngritet dorë në prind! As në nëndije! Lejlekët e gjorë! Të akuzuar pa faj, ata… por, lëre fare!

As Edi nuk e pranon! “Nuk jam unë, jo”! Kështu po i thoshte me këmbëngulje Baton Haxhiut! Refreni i përsëritur disa herë brenda një interviste ekskluzive për “Klan Kosova”, po fuqizohej përpara insistimeve të dëshpëruara të “1” të televizionit të vetëm (inter)nacional në Kosovë dhe Shqipëri!

Slogani i famshëm “Jemi një” po e shtyn drejtorin kosovar të këtij medium ndërkombëtar të niset në fushatë për me e gjet diku, me patjetër, një prind për kombin. Një vend, një komb, një… prind!

Mos u hutoni! Televizioni kombëtarë i Kosovës, ose shkurt RTK, jep programe në disa gjuhë! Por, nuk është ndërkombëtar! E, Klani po! Sepse, ai emeton program veç në shqip! E kam thënë edhe më herët: ne jemi komb ndërkombëtar! Edhe komb, edhe të hutuar! Të rritur… pa prind !

Kështu, Batua po i thoshte: “Je”! Edi mohonte! Batua insistonte, e Edi sërish thoshte: “Jo, jo edhe jo”!

“E kush tjetër more Edi? Nëse jo ti, atëherë kush”? Populli ynë nuk jeton dot pa një përgjigje! “Kush Edi, aman”?

“Qosja? Qosja do bëhej me gjithë qejf”, po përpiqej Batua të e fuste Edin në rrethin vicioz të xhelozisë! Kaq mjafton?!

Jo, nuk mjafton! “Nuk jam unë, o burrë”, nuk tundej Edi! Nuk pranonte të jetë baba i kombit, përkundër këmbënguljes së Batonit! Baba i shqiptarëve?! Jo or vëlla!

Aq fëmijë të padëshiruar jemi?! Askush nuk e merr atësinë! Fëmijët tanë të rritur me mitin për lejlekun që sjell foshnjat do të pyesin: Pra, cili lejlek e solli popullin shqiptar! Askush nuk e solli! “Autochthonous”!

Por, edukata seksuale nëpër shkolla gjithnjë e më tepër po e qet në pension lejlekun! Fëmijët po e dinë! Ti u flet për lejlekun e ata me vete thonë: “Në këtë shtëpi askush nuk paska bërë seks këto njëqind vitet e fundit”! Fëmijë të zgjuar! E kanë pa se si Bleona na e zbardhi fytyrën dhe pjesët e tjera kombëtare në “…Awards”.

Definitivisht, shqiptarët nuk i solli lejleku! As flamuri i Pavarësisë nuk u ngrit në Lazarat! !

Si thua Koço, ta mbështjellim nga një të sertë! Brend vendor! Nacionale! Është festë!

 

Exit mobile version