Janë zgjidhur problemet mes qytetit të Shkupit dhe transportuesve privat dhe këto ditë pritet që këto të fundit të kthehen në rrugët e kryeqytetit. Kështu deklaroi kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
E para e qytetit të Shkupit tha se problemet nuk janë shkaktuar nga ajo, por nga LSDM dhe OBRM-PDUKM.
“Çdo ditë thonë se nuk ka autobusë dhe se ka probleme. Në Këshill, po bojkotojnë vendimin për 250 autobusë të rinj, u është ofruar të zgjedhin bankën për kreditimin dhe ata përsëri bëjnë inat. Zgjidhëm një problem të madh me transportin privat. Natyrisht përfundoi siç thashë. Nuk kemi pasur borxh, këto janë kërkesa aktuale. Ne thjesht donim që kjo të bëhej me ndershmëri. Dhe këta njerëz që tani po hyjnë në sistemin e transportit publik janë njerëz të ndershëm. Nga nesër zgjidhja vlen dhe kemi njerëz që do t’i përshtaten standardeve dhe besoj se do ta bëjnë shërbimin më të mirë për qytetarët tanë”, tha Arsovska.
Rikthimin e autobusëve privat në rrugët e kryeqytetit e konfirmuan për TV Shenja, edhe vetë transportuesit. Ata pohuan se edhe disa transportues privat do të kthehen me autobusët e tyre në rrugët e qytetit, por sipas tyre, kësaj radhe jo për të protestuar, por, për të punuar. Ata shpresojnë se ky problem është zgjidhur një herë e përgjithmonë dhe ashtu siç janë dakorduar, ashtu edhe do të mbetet.
Transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, ata bllokuan Shkupin me më shumë se 200 autobusë të parkuar në kryqëzimet kryesore.
Në mungesë të autobusëve privat, të vetmit autobusë që ishin në qarkullim ishin ata të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik, e ajo bëri që të krijohet kaos në qytet, duke krijuar rrëmujë të madhe, ndërsa kërkesat e qytetarëve ishin që të kthehen sa më shpejtë transportuesit privat.