Shkuan me autobus e makina ‘shëndosh e mirë’, por pas ndeshjes ato i gjetën vetëm në bandash, raporton Tribuna. Sfida mes Kastriotit dhe RTV 21-shit solli ndodhinë interesante dhe të pakëndshme të javës së nëntë në ETC Superligë. Pas takimit mes këtyre dy skuadrave, disa ferizajas shqyen gomat e autobusit të skuadrës së 21-shit si dhe të disa makinave të zyrtarëve të klubit prishtinas, duke ua bërë atyre të vështirë rikthimin në kryeqytet.
Këtë incident për Arena e ka konfirmuar edhe drejtori i ‘Teleboysave’, Lekë Kelmendi. “Pas takimit, disa tifozë vendas, të rinj në moshë, kishin shqyer gomat e autobusit të skuadrës si dhe të makinave të zyrtarëve të klubit. Kjo na nxori probleme për t’u rikthyer në Prishtinë. Më e keqja është se ajo ndodhi në sytë e sigurimit të palestrës, por edhe të policisë”, u shpreh Kelmendi për gazetën Tribuna. /Telegrafi/