Telegrafi

Autobus apo tren? Automjeti i parë me ‘modalitet të dyfishtë’ në botë fillon të funksionojë në Japoni

Është një autobus, është një tren!

Automjeti i parë në botë me modalitet të dyfishtë, njëlloj në rrugë dhe hekurudhë, bëri debutimin e tij publik të shtunën në qytetin Kaiyo në prefekturën Tokushima të Japonisë.

Dhe banorët vendas presin që shërbimi i ri nga Asa Coast Railway Co., i cili përmirëson qasjen në pikat turistike, do të tërheqë entuziastët e hekurudhave dhe të tjerë në qytet, përcjell Telegrafi.

Në një ceremoni për të shënuar nisjen e shërbimit, guvernatori i Tokushimës, Kamon Iizumi tha se dëshiron t’i “dërgojë botës ëndrra dhe shpresa”.

“U deshën rreth 10 vjet për të nisur (shërbimin DMV). Jam plot emocione”, tha kryebashkiaku i Kaiyo, Shigeki Miura.

Shërbimi hekurudhor i kompanisë lidh Tokushimën dhe prefekturën fqinje Kochi.

Automjeti me modalitet të dyfishtë duket si një minibus dhe punon me rrota normale gome në rrugë.

Por kur arrin në një shkëmbim, rrotat e çelikut zbresin nga pjesa e poshtme e automjetit në shina hekurudhore, duke e kthyer atë në mënyrë efektive në një vagon treni.

Modaliteti i tij nga rrugor dhe hekurudhor dhe anasjelltas mund të ndërrohet në vetëm rreth 15 sekonda.

Miura tha se automjetet mund të ndihmojnë qytetet e vogla si Kaiyo me një popullsi të plakur dhe në tkurrje, ku kompanitë lokale të transportit luftojnë për përfitime.

DMV mund të transportojë deri në 21 pasagjerë dhe ecën me një shpejtësi prej 60 km/h (37 mph) në hekurudhë dhe mund të ecë me shpejtësi deri në 100 km/h në rrugët publike, tha Asa Coast Railway. /Telegrafi/