Qeveria austriake njoftoi të mërkurën, (31 tetor) tërheqjen nga marrëveshja e OKB-së për emigrantët, që pritet të miratohet zyrtarisht në dhjetor.
Koalicioni i ekstremit të djathtë prej disa javësh po bën fushatë në mënyrë që Vjena ta bojkotojë marrëveshjen.
Qeveria e Austrisë ka paraqitur si arsye shqetësimet rreth sovranitetit kombëtar, përcjell oranews.tv.
“Ka disa pika që i shohim në mënyrë kritike dhe i druhemi rrezikimit të sovranitetit tonë kombëtar”, tha të mërkurën kancelari konservator, Sebastian Kurz.
Ai e mori detyrën dhjetorin e kaluar në koalicion me partinë nacionaliste “Liria”që mbështet politika kundër emigracionit.
Austria aktualisht mban presidencën e Bashkimit Europian dhe Kurz e ka bërë prioritet frenimin e migrimit të parregullt.
Marrëveshja Globale për Sigurinë dhe Migrimin e Rregullt, e cila nuk është ligjërisht e detyrueshme, u finalizua nga Kombet e Bashkuara në korrik.
Dhjetorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga negociatat, ndërsa Hungaria në korrik.