Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, priti sot në takim ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Christoph Weidinger, me të cilin bisedoi për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë.
Me këtë rast ministri Veliu e njoftoi Ambasadorin Weidinger për prioritetet e tij si ministër, ku në fokus do të jetë luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, të cilat janë me rëndësi jetike për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Ministri Veliu falënderoi ambasadorin Weidinger për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë shteti austriak në konsolidimin e Republikës së Kosovës, në veçanti për mbështetjen e institucioneve të sigurisë dhe kërkoi që kjo ndihmë të vazhdojë edhe në proceset integruese të Kosovës.
Ambasadori Weidinger theksoi se qeveria e re austriake ka deklaruar në programin e saj, se në mënyrë aktive do të vazhdo jë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe do të angazhohet edhe më tej në procesin e liberalizimit të vizave.