Votimi ka nisur për zgjedhjet presidencial në Austri, ku po përballen udhëheqësi i Partisë së Lirisë, Norbert Hofer i ekstremit të djathtë, me ish-kreun e Partisë së Gjelbër, Alexander van der Bellen.
Majin e shkuar, zgjedhjet u fituan nga Van der Bellen, por rezultati u rrëzua nga Gjykata e Lartë austriake, për parregullsi në votim.
Nëse Hofer fiton, ai do të bëhet kreu i parë i ekstremit të djathtë në një shtet të Bashkimit Evropian. Norbert Hofer e mbështeti fushatën e tij mbi platformën anti-emigracion, madje duke sugjeruar edhe mundësinë e një largimi të Austrisë nga BE-ja, transmeton Top Channel. Ashtu si në zgjedhjet e majit, edhe këtë herë sondazhet sugjerojnë se kandidatët janë shumë pranë dhe rezultati nuk mund të parashikohet.
Megjithëse posti i presidentit në Austri është kryesisht ceremonial, zgjedhjet po vëzhgohen si një barometër apo tregues, sesi do të shfaqen kandidatët populist në sfidat elektorale pasuese në të gjithë kontinentin.
Vitin e ardhshëm, Franca, Gjermani dhe Holanda zhvillojnë zgjedhje dhe në këto vende, partitë anti-elitë dhe anti-emigracion po fitojnë terren.