Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler, të cilin e ka njoftuar për të arriturat në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2016 dhe prioritetet për këtë vit.
“Ministri Krasniqi, tha se MBPZHR-ja tashmë e ka gati edhe programin e këtij viti, përmes të cilit ai tha se do të gjejnë mbështetje shumë sektorë e nënsektorë të bujqësisë, ku në këtë mënyrë ai theksoi po arrijnë të fuqizojnë edhe më tej sektorin e bujqësisë në vend.
Ai vlerësoi mbështetjen që Austria ka dhënë për Kosovën dhe shtoi se mes dy vendeve bujqësia mund të jetë një fushë ku mund të ketë edhe më shumë bashkëpunim, si në shkëmbimin e shumë përvojave, ashtu edhe në projekte të përbashkëta bujqësore”,thuhet në njoftimin për media.
Nga ana e tij, ambasadori Gernot Pfandler, vlerësoi punën e ministrisë në drejtim të fuqizimit të sektorit të bujqësisë dhe rikonfirmoi mbështetjen për Kosovën, dhe tha se në fokus do të jetë edhe bujqësia, si sektori kryesor për zhvillimin ekonomik./Telegrafi/