Site icon Telegrafi

Austria i ndalon hyrjen ministrit turk për miting (Video)

Austria i ka ndaluar hyrjen në vend ministrit turk të Ekonomisë, Nihat Zeybekci, i cili kërkonte të merrte pjesë në tubimin e organizuar në Vjenë me rastin e përvjetorit të parë të puçit të dështuar ushtarak në Turqi.

Për autoritetet austriake, prania e ministrit Zeybekci përbën rrezik për sigurinë dhe rendin publik. Ankaraja nuk ka reaguar ende mbi këtë vendim, por marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara prej kohësh, e Vjena e ka kritikuar hapur Turqinë për reagimin e ashpër pas tentativës për grusht shteti.

Përpos kësaj, Austria nuk ka ngurruar të dalë hapur në mbështetje të ngrirjes së negociatave të saj të anëtarësimit. Në muajin mars, Austria ia ndaloi presidentit Recep Tayyip Erdogan të bërit fushatë në territorin e saj, për referendumin që do të zgjeronte pushtetin e presidentit.

Javën që shkoi, për arsye të ngjashme me ato të cituara në rastin e Zeybekci, Holanda doli me deklaratën se zëvendëskryeministri turk, Tugrul Turkes, nuk është mirëpritur në atë vend.

Erdogan, nga ana tjetër është ankuar se nuk e lejuan të flasë publikisht në Gjermani, kur ndodhej tani për samitin e G20-s, transmeton tch. Austria dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë kritikuar fuqishëm Turqinë për veprimet e saj pas përpjekjes për grusht shteti, më 15 korrik të vitit të kaluar.

Plot 50 mijë vetë kanë përfunduar prapa hekurave dhe mbi 100 mijë të tjerë janë pushuar nga puna, nën akuzat se kanë lidhje me klerikun islamik, Fethullah Gulen, të cilin e akuzon për orkestrimin e grushtit të shtetit.

Exit mobile version