Telegrafi

Austria me masa të reja kufizuese për shkak të coronavirusit, paralajmëron kancelari Kurz

Austria do të zbatojë masa të reja kufizuese për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, meqënse vendi sikurse edhe disa shtete evropiane po përballet me rritje të rasteve të reja.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, vendi do të ndalojë tubimin e më shumë se gjashtë personave në ambientet e brendshme, ndërsa në zonat e jashtme do të lejohet tubimi i 12 njerëzve.

Lajmin e bëri të ditur të hënën kancelari austriak, Sebastian Kurz, ku tha se do të kufizohen edhe ngjarjet e ndryshme.

Austria kohëve të fundit është përballur me rritje të rasteve ditore me COVID-19, shifra këto më të larta që kur vendi u përball me pandeminë. Kështu shifra e përgjithshme e infeksioneve është rritur në 65 mijë.

Kohëve të fundit edhe disa vende të tjera evropiane po ballafaqohen me valën e dytë pandemike, duke u detyruar që këto zona të zbatojnë masa të reja parandaluese.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të prekurve globalisht nga virusi vdekjeprurës u rrit në 40 milionë, ndërsa deri më tani janë shënuar 1.1 milion viktima. /Telegrafi/