Site icon Telegrafi

Austria konfirmon mbështetjen e fuqishme për Kosovën

Zv. kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, së bashku me zv. kryeministrin Enver Hoxhaj, janë pritur në një vizitë zyrtare nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka me rastin e shënimit të 10 vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës.

“Zv. kryeministri Gashi dhe zv. kryeministri Hoxhaj gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit Sobotka, falënderuan shtetin Austriak për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në etapa të ndryshme kohore, si para ashtu edhe pas luftës, me theks të veçantë në periudhën pas shpalljes së Pavarësisë, ndërsa kërkuan mbështetje për proceset e tanishme nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.

“Si shteti i fundit në Ballkan që nuk kemi lëvizjen e lirë në vendet e Schengenit, shpresojmë që tash pasi kemi përmbushur kushtin e demarkacionit, do të vazhdoni mbështetjen për të aplikuar procesin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën. Po ashtu, ne mbështetemi fuqishëm në ndihmën dhe bashkëpunimit tuaj edhe në procesin e integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha Hoxhaj.

Kryetari Sobotka, falënderoi dy zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës për vizitën, dhe duke uruar 10 vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën në të ardhmen.

“Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit Evropian në veçanti në liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksoi Sobotka.

Ai në anën tjetër, duke folur për investimet e kompanive austriake në Kosovë, kërkoi më shumë siguri për investime në Kosovë.

Gashi e informoi kryetarin e Parlamentit për ligjin e ri për investime strategjike, dhe shprehu përkushtrimin e Qeverisë për të mbështetur investimet e huaja me të gjitha mekanizmat të cilat Qeveria i ka në dispozicion.

“Në Kosovë tashmë kemi disa kompani në fushën e energjisë së ripërtrishme të cilat kanë aplikuar për statusin e investitorëve strategjik. Në këtë drejtim edhe kompania Kelag nga Austria është në proces të aplikimit për një investim rreth 100 milionë euro në fushën e energjisë krahas projektit të cilin janë duke e implementuar në rajonin e Deçanit”, tha Gashi.

Gjatë ditës, zv. kryeministri Gashi do të merr pjesë si panelist në konferencën e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe Ambasada e Kosovës në Vjenë “10 vite të marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës”. /Telegrafi/

Exit mobile version