Telegrafi

Austria ka parë një ulje të konsiderueshme ditore të numrit të të infektuarve

Austria shënon një ulje të ndjeshme ditore të numrit të të infektuarve me Covid-19, tha të shtunën Ministri austriak i Shëndetësisë, Rudolf Anschober.

“Të dhënat e fundit tregojnë se masat që kemi zgjedhur në Austri po tregojnë rezultatet e para”, tha ministri i Shëndetësisë, Rudolf Anschober, transmeton Telegrafi.

Ai tha se kjo prirje tani duhet të stabilizohet dhe në të njëjtën kohë u bëri thirrje qytetarëve të Austrisë që të vazhdojnë t’i respektojnë rregullat e lëshuara nga qeveria austriake, pavarësisht motit të mirë të pranverës.

“Ne nuk duhet të rrezikojmë asgjë tani, por të shtyrë nga suksesi, të vazhdojmë maratonën e masave”, paralajmëroi ministri austriak i Shëndetësisë.

Sipas Anschober, rritja e përditshme e personave të infektuar në Austri ka rënë në nën dhjetë për qind krahasuar me periudhën tre javë më parë kur rritja ditore ishte 40 për qind.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të shtunën se aktualisht ka 11,781 persona të infektuar në Austri, dhe 186 njerëz kanë vdekur deri më tani nga coronavirusi.

Austria ishte ndër vendet e para evropiane që futi rregulla të rrepta për kufizimet në lëvizje dhe kontaktet shoqërore. /Telegrafi/